Namazi i natës

“Kur të vijë nata më tremb gjatësia e saj, por kur filloj me këndim Kur’ani ende pa u ngopur më zë sabahu.” Fudajl Ibën ‘Ijjadi[1]

Ai thoshte kështu, sepse zemrën e kishte të madhe

1. I Dërguari i Allahut, Muhammedi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, nuk e linte asnjëherë namazin e natës, madje as kur ishte i sëmurë, porse kur sëmurej falej ulur.

 

2. Po qe se ndonjëherë nuk mund të falej natën ashtu si e kishte zakon e kompensonte ditën, duke falur kështu nga dymbëdhjetë rekate (namaz vullnetar).

Namazi i natës rruga e suksesit madhështor

Pa dyshim që suksesi madhështor dhe lumturia e vërtetë është hyrja në xhenetin e përhershëm në botën e amshueshme, ndërsa namazi i natës është njëra ndër rrugët më të mira për arritjen e këtij suksesi.

I Dërguari i Allahut, Muhammedi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, na i përshkroi dhomat, të cilat janë përgatitur për ata që falen natën kur tha: “Në xhenet ka dhoma pamja e jashtme e të cilave duket nga brenda dhe brendësia e të cilave duket nga jashtë.” Atëherë, një beduin u ngrit dhe tha: “Për kë janë ato, o i Dërguar i Allahut?!” I Dërguari i Allahut, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, tha: “Për atë që është fjalëmirë, që i ushqen njerëzit, që agjëron shumë dhe që falet natën kur njerëzit flenë.”[2]

Faktorët që ndihmojnë për t’u falur natën

1. Fle pasdite (pasdreke)

Kjo është sikur ta blije një orë të natës së bashku me të gjitha të mirat e shpërblimet e saj me një orë të ditës, për këtë arsye na ka porositur i Dërguari i Allahut me fjalët: “Flini pasdite, sepse shejtani nuk fle në këtë kohë!”[3]

2. Pakoje ushqimin

Sufjan Eth-Theuriu thoshte: “Pakojeni ushqimin që ta përvetësoni namazin e natës!”[4]

3. Zgjidhe shoqëruesin e mirë

Zgjidhe shoqëruesin apo shoqëruesen që të ndihmon për namaz të natës dhe të zgjon për të, siç i zgjonte nga gjumi Pejgamberi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, Fatimen dhe burrin e saj Aliun, Allahu qoftë i kënaqur me ta, duke ua trokitur derën dhe duke u thënë: “A nuk dëshironi të faleni?”[5]

4. Largoju mëkatimit ndaj Allahut

Namazi i natës është nder, të cilin nuk e meriton askush pos atij që e gjallëron ditën me nënshtrim ndaj Allahut, për këtë arsye Ibrahim ibën Ed’hemi thoshte: “Mos i bëj mëkat Allahut ditën që të të bëjë prej atyre që falen natën, sepse qëndrimi para Tij në namaz gjatë natës është nder i madh, kurse mëkatari nuk e meriton atë!”[6]

Familja e namazit të natës

Po ta rrëfej tregimin e kësaj familjeje, e cila i jepte rëndësi të madhe namazit të natës. Kjo ishte familja e Salih ibën Jahjasë. Anëtarët e saj ishin Aliu, Haseni (dy bijtë e Salih ibën Jahjasë) dhe nëna e tyre. Ata e ndanin natën në tri pjesë, kështu që Aliu falej një të treten e natës, pastaj e zgjonte vëllanë e tij Hasenin dhe binte për të fjetur, pastaj Haseni falej një të tretën e natës dhe më pas e zgjonte nënën e tij dhe binte për të fjetur dhe pastaj zgjohej nëna e tyre dhe falej në pjesën e tretë të fundit të natës. Ndërsa, kur vdiq nëna e tyre ata e ndanë natën në dy pjesë, në pjesën e parë falej Aliu, kurse në të dytën falej Haseni. Ndërsa, kur vdiq Aliu, Haseni falej gjatë tërë natës.[7]

Detyra praktike

1. Para se të biesh për të fjetur pajisu me rregullat e gjumit, pra bjer me abdest, shtriju në krahun e djathtë dhe për çdo natë përsërite dhikrin e fjetjes. Njëkohësisht, ji i bindur se Allahu do të të zgjojë nga gjumi natën dhe gjithashtu merri edhe shkaqet tjera, duke lënë kështu alarmin apo duke porositur ndokënd nga shokët të të zgjojë nga gjumi.

2. Fillimisht bëje zakon t’i falësh dy rekate para se të biesh për të fjetur, duke lexuar në to një pjesë të vogël të Kur’anit! Vepro kështu një muaj të plotë, pastaj fillo ta shtosh leximin e Kur’anit gjatë këtij namazi!

3. Po qe se vazhdon të falesh kështu para se të biesh për të fjetur një periudhë të gjatë, atëherë përpiqu ta fitosh një orë nga pjesa e tretë e natës! Pra, zgjohu një orë para namazit të sabahut dhe shfrytëzoje këtë kohë të bereqetshme në namaz nate, në përulje para të Madhit Allah dhe lute Atë pandërprerë të të bëje prej të lumturve dhe të suksesshmëve në këtë dhe botën tjetër!

Kujto gjithnjë se

minutat e natës janë të shtrenjta, andaj shfrytëzoji ato!

Dr. Ahmed El-Mezjed

Marrë nga libri: “50 uesijle litus’ide nefseke ue muxhteme’ake”

Përktheu: Jusuf Kastrati



[1] “Ihjau ‘ulumid-dijn” – El-Gazali, (1/354).

[2] Tirmidhiu (2112).

[3] Et-Taberani në “el-euset” (28).

[4] “Tenbihul-mugterrine” – Esh-Sha’ërani, fq. 35.

[5] Muttefekun alejhi; El-Buhari (1127), Muslimi (1854)

[6] “Tenbihul-mugterrine” – Esh-Sha’ërani, fq. 53.

[7] “Ruhbanul-lejl” – El-‘Afafi (1/401).