Domethënia e teuhidit

Allahu i Lartësuar krijoi krijesat që ta adhurojnë Atë dhe të mos i shoqërojnë Atij asgjë në adhurim. Për këtë shkak, solli të dërguar dhe zbriti libra.

Allahu i Lartmadhërishëm thotë:

وَمَا خَلَقْتُ الْجِنَّ وَالْإِنسَ إِلَّا لِيَعْبُدُونِ

 

Nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër, veçse të më adhurojnë.[1]

Gjithashtu, thotë:

وَاعْبُدُواْ اللّهَ وَلاَ تُشْرِكُواْ بِهِ شَيْئًا

Adhurojeni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë.[2]

Pra, Allahu i Lartmadhërishëm urdhëroi krijesat ta adhurojnë vetëm Atë dhe të mos e adhurojnë askënd tjetër.

Llojet e teuhidit

Teuhidi ndahet në tri lloje:

1. Besimi se Allahu është Krijuesi, Furnizuesi, Rregulluesi, i cili jep jetë dhe vdekje quhet teuhid Rububijje[3] (njësimi i zotërimit), sepse është besim në Zotin i cili bën çfarë të dojë. Këtë lloj teuhidi e pranuan edhe idhujtarët në kohën e Pejgamberit (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem!).

Prandaj, Allahu i Lartësuar thotë:

وَلَئِن سَأَلْتَهُم مَّنْ خَلَقَهُمْ لَيَقُولُنَّ اللَّهُ

Po nëse ti i pyet ata se kush i krijoi, me siguri do të thonë: "Allahu!".[4]

2. Besimi se vetëm Allahu i Lartësuar meriton të adhurohet quhet teuhid Uluhijje[5] (njësimi i adhurimit). Në këtë lloj teuhidi kanë rënë në kundërshtim pejgamberët me ata të cilët morën “zota tjerë”, të cilët i adhuronin përveç Allahut.

3. Cilësimi i Allahut me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tij të përsosura, me të cilat e ka përshkruar Ai Veten e Tij dhe me të cilat e ka përshkruar i Dërguari i Tij (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem!) në sunnet[6] quhet teuhid el-esma ues-sifat (njësimi i Allahut në emrat dhe cilësitë e Tij).

Kushtet për të qenë akideja apo besimi i shëndoshë

Për të qenë akideja e shëndoshë duhet plotësuar dy kushte:

Kushti i parë: Sinqeriteti ndaj Allahut të Lartësuar në të gjitha veprat dhe lënia e syfaqësisë dhe dyfytyrësisë.

Kushti i dytë: Pasimi. Me këtë kemi për qëllim që burim i besimit apo i akides së muslimanit të jetë Libri i Allahut dhe sunneti i Pejgamberit (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem!). Prandaj, në çështjet e besimit nuk lejohet që ta pasojmë dikë verbërisht, edhe po patëm mendim të mirë për të dhe pa marrë parasysh se a është ai babai apo hoxha ynë.

Këto dy kushte (sinqeriteti dhe pasimi) duhet të plotësohen në të gjitha veprat e mira, me të cilat muslimani afrohet te Zoti, Krijuesi i tij.

Pyetje

1. Përse Allahu krijoi krijesat? Sill argument!

2. Ç'është teuhidi el-esma ues-Sifat?

3. Cilin lloj të teuhidit e pranuan idhujtarët?

4. Cilin lloj të teuhidit e kundërshtuan idhujtarët?

5. Cilat janë kushtet për të qenë akideja e shëndoshë?

6. Çka nënkuptojmë me pasim?

 

Përktheu: Jusuf Kastrati

Marrë nga libri: "Et-Teuhid" - Instituti i Mësimit të Gjuhës Arabe - Universiteti "Imam" në Riad.


[1] Suretu edh-Dharijat: 56

[2] Suretu en-Nisa: 36

[3]Teuhidi rububijje është: veçimi i Allahut me veprat e Tij, siç janë: krijimi, furnizimi, etj. Sh.p.

[4] Suretu ez-Zuhruf: 87

[5] Teuhidi uluhijje është: njësimi, veçimi i Allahut me adhurim. Sh.p.

[6] Sunnet quhen fjalët, veprat dhe pëlqimet e Pejgamberit (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem!). Sh.p.