Prej begative më të mëdha të Ramazanit është Nata e Kadrit, të cilën e dalloi Allahu nga të gjitha netët tjera. I Lartësuari thotë në Kur’an: “Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit. E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj.“ [Sureja el-kadr: 1-3]
Ndërsa, Pejgamberi ynë, Muhammedi, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, ishte urdhëruar që këtë natë ta kërkonte në dhjetëshen e fundit të Ramazanit. Andaj, kushdo që dëshiron ta fitojë këtë shpërblim duhet të angazhohet me adhurim në dhjetë netët e fundit të Ramazanit, pa përjashtim, në mënyrë që të sigurohet se e ka zënë këtë shpërblim madhështor.
Prej gjërave që na ndihmojnë në zënien e shpërblimit të Natës së Kadrit është i’tikafi (ngujimi në ndonjë xhami për ta adhuruar Allahun) në dhjetë netët e fundit të Ramazanit, dhe angazhimi në këto ditë dhe netë të Ramazanit me adhurim, me përmendje të Allahut, me namaz dhe me lexim Kur’ani, sepse i Dërguari i Allahut bënte i’tikaf në dhjetëshen e fundit të Ramazanit derisa e zuri vdekja. [Muttefekun alejhi]
Shkëputur nga: “Meshari’ul-usreti” (Hakibetul-usreti er-ramadanijjeh) – të autorëve dr. Ahmed El-Mezjed dhe dr. Adil Esh-Shiddi.
Përktheu: Jusuf H. Kastrati-Shembulli.com