Ç’është akideja?
Akide gjuhësisht do të thotë lidhje, shtrëngim i fortë. Në terminologjinë fetare është çështje të cilën duhet ta besojë zemra, të rehatohet shpirti, derisa të bëhet bindje e plotë, që nuk ka pikë dyshimi në të. Akideja është gjykim që nuk pranon dyshim tek ai që beson, zaten edhe qëllimi i misionit të Pejgamberëve ishte njësimi i Allahut në besim.
“O populli im! Adhuroni Allahun! Nuk ka Ilah (të adhuruar) tjetër pos Atij.’’
Akideja në Islam nuk është vetëm një ideologji e thjeshtë, një shprehje vullnetare ose një çështje që duhet të llogaritet si një fusnotë e parëndësishme. Ajo është çështje e lindur te njerëzit, nevojë e vetes dhe e shpirtit. Nëse humb besimi, krijohet në shpirt një zbrazëti që nuk mbushet si dhe një rrënim dhe shkapërderdhje e ndërgjegjes.
Teuhidi - njëshmëria në Allahun e Lartësuar
Besimi është nyje kyçe te besimtari, ku nuk guxon muslimani ta neglizhojë apo ta harrojë. Ai i cili beson Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ky besim buron nga thellësia e zemrës dëshmohet me fjalë dhe vepër, nuk ka dyshim që është shkak i një përfundimi të mirë. Kemi hadithin e Muhamedit ku transmeton Buhariu dhe Muslimi:
‘’Me të vërtetë Allahu ia ka ndalur zjarrit (xhehenemit) atë i cili thotë LA ILAHE IL ALLAH ku me këtë dëshiron vetëm Fytyrën e Allahut.’’ (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)
I dashuri besimtar! Konfirmoje teuhidin-njëshmërinë e Allahut në zemrën tënde! Padyshim se një ditë do të mbledhësh frytet e saj në jetën tënde, në momentet e vdekjes, në varrin tënd. Teuhidi do të ndihmoj gjatë llogarisë dhe vetë me të do të përcillesh në Xhenetet e larta.
“La ilahe il-Allah”
Për fjalën njësuese “La ilahe il-Allah”, Allahu ka krijuar krijesat dhe njeriun që ata ta adhurojnë: “Dhe Unë (Allahu) nuk i krijova njerëzit dhe xhinët, veçse që ata duhet të më adhurojnë vetëm Mua.” Dharijat, 56.
Për dëshminë “La ilahe il-Allah” dëshmoi vetë Allahu i Lartësuar, dëshmuan engjëjt dhe të diturit: “Allahu dëshmon se La Ilahe il-la Huve (nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Atij); (dëshmojnë) edhe melekët, edhe ata që kanë mend e që dinë; Ai e mban krijimin e Tij në drejtësi të plotë. La Ilahe il-la Huve (askush nuk ka të drejtë, nuk meriton e nuk duhet të adhurohet përveç Atij), i Gjithëfuqishmi, më i Urti Gjithëgjykues.” (Aliimran, 18)
Njësimi i Allahut në adhurim
Teuhidi i adhurimit është thelbi që në sipërfaqen e tokës të adhurohet vetëm Allahu. Kur kjo jetësohet, atëherë mund të përfitojmë dhunti të shumta dhe këto të mira mund t’i gëzojë individi dhe shoqëria në këtë botë dhe në botën tjetër. Atëherë, në vazhdim le t’i kujtojmë disa nga këto të mira.
- Teuhidi i adhurimit ofron jetë të mirë në të dy botët.
- Teuhidi i adhurimit ofron fitoren dhe ndihmën.
- Teuhidi i adhurimit u mundëson besimtarëve vazhdimësinë e zotërimit dhe të udhëheqjes në tokë.
- Teuhidi i adhurimit i lartëson dhe i nderon besimtarët në të dy botët .
- Teuhidi i adhurimit i mbron besimtarët dhe i ruan ata nga sherret e armiqve.
- Teuhidi i adhurimit i bën besimtarët umet të vëllazëruar.
Teuhidi Rububije (Njësimi i Allahut në zotërim)
Besimi i prerë se Allahu është i vetmi Zot i çdo gjëje dhe Sunduesi i gjithçkaje. Ai është Krijuesi i vetëm, Rregulluesi dhe Komanduesi i Gjithësisë, vepron në të si të dojë. Ai i ka krijuar robërit dhe i furnizon ata, u jep jetë e ua merr atë dhe përcakton gjithçka. Argumenti për këtë lloj teuhidi është: “Gjithë lavdërimet dhe falënderimet janë për Allahun, Zotin e Alemin-it (Zoti i të gjitha botëve, i gjithësisë dhe i gjithçkaje që gjendet në të, gjithçka që ka krijuar Allahu).” (Fatiha, 1)
Teuhidi Uluhije (Njësimi i Allahut në adhurim)
Teuhidi i adhurimit dhe kuptimi i tij është besimi i plotë dhe i vendosur se Allahu i Lartmadhëruar është Zot i vërtetë dhe nuk ka të adhuruar tjetër veç Tij dhe çdo i adhuruar tjetër veç Tij është i kotë dhe i padrejtë. Njësimi i Tij në adhurim është me përulje dhe bindje të plotë, duke mos i bërë askush shok Atij dhe duke mos iu drejtuar dikujt tjetër përveç Tij, sikurse namazi, agjërimi, zekati, haxhi, lutja, kurbani, mbështetja, frika, shpresa, dashuria. Argumenti për këtë lloj teuhidi është: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm Ty të mbështetemi e të kërkojmë ndihmë (kudo, në çdo kohë dhe për çdo gjë).” Fatiha, 5
Teuhidi Esma ues-Sifat (Njësimi i Allahut në emrat dhe cilësitë e Tij)
Pra, besimi i plotë dhe i prerë se Allahu i Lartmadhëruar ka emra të bukur dhe cilësi të përsosura, është i shenjtëruar, i pastër nga të gjitha cilësitë e mangëta. Pranimi i çdo emri dhe cilësie që Allahu e ka pohuar për veten e Tij pa i përngjarë ato, pa i krahasuar, pa i mohuar dhe pa i ndryshuar. Argumenti për këtë lloj teuhidi është: “Dhe të Allahut janë gjithë Emrat më të Bukur, kështu që luteni Atë me ta dhe largojuni shoqërisë së atyre të cilët i përgënjeshtrojnë Emrat e Tij. Ata shpejt do të shpërblehen për çfarë kanë vepruar.” Araf, 180
Përgatiti: Ulvi FEJZULLAHU