Dita e ashures, falje për vitin e kaluar

Nga  Ebi Katade (Zoti qoftë i kënaqur me të!) është transmetuar se është pyetur Pejgamberi (paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të!) për agjërimin e ditës së ashures, dhe ka thënë: "Unë, me të vërtetë, e llogaris falje nga Allahu për vitin e kaluar."

Gradat e agjërimit të ditës së ashures janë:

Më e larta është agjërimi një ditë para saj dhe një ditë pas saj.

Pastaj vijon agjërimi i ditës së nëntë dhe të dhjetë.

Pastaj vjen  vetëm agjërimi i ditës së dhjetë.

Shkaku i agjërimit të ditës së ashures

Është falënderim për Zotin e Madhëruar që e shpëtoi Musain (alejhi selam) dhe popullin e tij nga faraoni dhe ithtarët e tij, e kjo ka ndodhur në ditën e dhjetë të muajit muharrem.

Dobitë e agjërimit të kësaj dite

1. Agjërimi i ditës së ashures është synet dhe i preferuar, me që është praktikuar, gjithashtu, nga Pejgamberi (paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të!).

2. Këtë ditë e kanë agjëruar  edhe shokët e Pejgamberit (paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të!) si dhe Musai (alejhi selam) para tyre, ne shenjë falënderimi, ndaj madhërisë së Zotit.

3. Edhe  historikisht kjo ditë ka vlerë  madhështore.

4. Preferohet agjërimi i  një dite para ose pas saj; d.m.th.: (9-10 ose 10-11 muharrem) për t'u dalluar nga hebrenjtë, sepse këtë  e ka urdhëruar Pejgamberi (paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të!).

5. Në të shihet qartë se llogaritja e kohës tek popujt e kaluar, ishte me anë të hënës e jo me muaj gregorian, sepse Pejgamberi (paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të!) na ka lajmëruar që dita e dhjetë e muajit muharrem është e njëjta ditë që Allahu i Lartësuar e shkatërroi popullin e faraonit dhe e shpëtoi Musain me ithtarët e tij.

6. Kjo është çka u përmend në sunet, sa i përket kësaj dite, e çdo gjë tjetër që bëhet në të, është risi (bidat) dhe në kundërshtim me udhëzimin e Muhamedit (paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të!).

Kjo është prej mirësisë së Allahut të lartësuar ndaj nesh, sepse na e mundësoi që nëpërmjet agjërimit të një dite, të na falen mëkatet e një viti të plotë; e Allahu është pronar i mirësisë së madhe. Kështu që shpejto, o vëlla,  dhe shfrytëzoje këtë mirësi! Filloje vitin tënd të ri me adhurim  dhe punë të mbara, sepse punët e mira i shlyejnë ato të ligat (të këqijat).

 

Përktheu : Fidan Musliu
Klubikulturor.com