Të ftoj t’i meditosh dy ajete të Kuranit, të cilat ceken në suren el-enbija, pasi i përmend Allahu Ibrahimin, Is’hakun, Jakubin, Lutin, Nuhun, Davudin, Sulejmanin, Ejubin, Ismailin, Idrisin, Dhul-Kiflin, Junusin, e më pas i përmend Isanë dhe nënën e tij, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të gjithë ata, duke thënë:
(Kujtoje) atë që ruajti virgjërinë e saj! Ne frymë brenda saj nga shpirti Ynë dhe e bëmë atë dhe birin e sajmrekulli për gjithë njerëzit. Vërtet, ky është besimi juaj - besimi i vetëm, e Unë jam Zoti juaj, andaj më adhuroni Mua! [Kuran 21:91,92]
Ne muslimanët besojmë në të gjithë pejgamberët në mënyrë të përgjithshme, siç besojmë në mënyrë të hollësishme në emrat dhe historitë që janë vërtetuar lidhur me ta, pa bërë dallim mes tyre, siç thuhet në Kuran:
I Dërguari beson në atë (Kuranin) që i është shpallur nga Zoti i tij e po ashtu dhe besimtarët: të gjithë besojnë në Allahun, engjëjt e Tij, librat e Tij dhe të dërguarit e Tij (duke thënë): “Ne nuk bëjmë dallim mes asnjërit prej të dërguarve të Tij”. Ata thonë: “Ne dëgjojmë dhe bindemi. Faljen Tënde kërkojmë, o Zoti Ynë dhe te Ti do të kthehemi!” [Kuran 2:285]
Allahu i Lartësuar thotë gjithashtu:
Thoni: “Ne besojmë në Allahun, në atë që na është shpallur neve (Kuranin), në atë që i është shpallur Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe Esbatëve (12 bijve të Jakubit), në atë që i është dhënë Musait e Isait dhe në atë që u është dhënë profetëve nga Zoti i tyre. Ne nuk bëjmë kurrfarë dallimi midis tyre dhe vetëm Allahut i përulemi”. Nëse ata besojnë në atë që besoni edhe ju, atëherë janë në rrugën e drejtë. E, nëse ia kthejnë shpinën asaj, atëherë sigurisht që do të përçahen. Por Allahu të mjafton ty (Muhamed si mbrojtës) kundër atyre. Ai i dëgjon dhe i di të gjitha. [Kuran 2:136,137]
Ne besojmë gjithashtu se Allahu ka dërguar të dërguar dhe u ka shpallur atyre libra, në të cilët ka udhëzim. Ky besim është i detyrueshëm, pa marrë parasysh a i dimë hollësitë a jo, por ne besojmë në të gjithë Librat e Allahut në mënyrë të përgjithshme, siç thotë Allahu kur i lavdëron besimtarët në ajetet e para të Kuranit:
Të cilët besojnë në të fshehtën, falin namazin dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne; dhe për ata që besojnë në atë që të është shpallur ty (o Muhamed), në atë që është shpallur përpara teje dhe që me bindje i besojnë jetës tjetër. [Kuran 2:3,4]
Ne besojmë gjithashtu në mënyrë të hollësishme në tërë atë që e dimë sigurt lidhur me to, siç besojmë në teurat, se ai është libri që ia zbriti Allahu Musait, paqja qoftë mbi të, dhe në atë që e thotë Allahu për teuratin:
Ne kemi dërguar Teuratin, në të cilin janë udhëzimet dhe drita. Sipas tij, profetët që ia kishin dorëzuar veten Allahut, i gjykonin hebrenjtë; por edhe të diturit dhe rabinët kështu vepronin, sepse atyre iu qe besuar mbrojtja e Librit të Allahut, për të cilin ata dëshmonin. [Kuran 5:44]
Ne besojmë gjithashtu se Inxhili është Libri i Allahut, të cilin ia zbriti Isait, paqja qoftë mbi të, dhe njëherazi e besojmë atë që thuhet në Kuran lidhur me të, pasi i përmend Allahu jehudët, ku thotë:
Pas atyre profetëve, Ne dërguam Isanë, të birin e Merjemes, si vërtetues të Teuratit që kishte ardhur para tij. Dhe i dhamë atij Inxhilin (Ungjillin), në të cilin ka udhëzim dhe dritë, si përmbushje të asaj që ishte shpallur para tij në Teurat dhe si udhërrëfim e këshillë për ata që i frikësohen Allahut. [Kuran 5:46]
Në qoftë se muslimani i mohon këto fakte që i ka përmendur Kurani, atëherë ai del nga umeti islam, që Allahu na urdhëroi të besojmë në të dhe në të dërguarit e Tij, dhe në asnjë mënyrë nuk mund të jetë musliman.
Pejgamberët që kanë ardhur më vonë i kanë vërtetuar ata që ishin para tyre, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të gjithë ata, kurse pejgamberët që vinin më herët i përgëzonin njerëzit për pejgamberët që do të vinin më pas. Si të mos jetë kështu kur Dërguesi është i njëjti, i Lartësuar dhe i Patëmeta është Ai! Për këtë arsye, kur një i krishterë dëshiron të kalojë në Islam nuk kërkohet prej tij ta mohojë Isanë, por përkundrazi, për të qenë musliman ai duhet të besojë patjetër se mesihu (Isai), paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, është i dërguar. Po ashtu edhe jehudët kur duan të bëhen muslimanë duhet të besojnë patjetër në Isanë siç duhet të besojnë në Muhamedin, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi ta.
I Dërguari i Allahut, Muhamedi, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, i ka urdhëruar besimtarët të besojnë në Musanë dhe Isanë dhe në Librat që u kanë zbritur atyre. E si të mos jetë kështu kur dihet se Kurani i ka lavdëruar ata në shumë vende, madje i ka vendosur në mesin e pesë pejgamberëve më të zgjedhur, të cilët quhen të vendosurit (ulu’l-azmi). Allahu i Lartësuar thotë:
Ne lidhëm besën me ty (o Muhamed) siç bëmë me profetët e tjerë: me Nuhun, Ibrahimin, Musanë dhe Isanë, të birin e Merjemes. Ne lidhëm me ata një besë solemne. [Kuran 33:7]
Allahu i Madhërishëm gjithashtu thotë:
Ai ka urdhëruar për ju atë Fe, të cilën ta zbuloi ty (o Muhamed) dhe që pati urdhëruar për Nuhun, Ibrahimin, Musanë dhe Isanë, duke thënë: “Qëndroni në fenë e drejtë dhe mos u përçani në të!” Por për idhujtarët është e rëndë ajo, në të cilën po i fton ti. Allahu zgjedh për këtë fe kë të dojë dhe udhëzon drejt saj këdo që kthehet tek Ai me pendim. [Kuran 42:13]
Emri i pejgamberit që më së shumti përmendet në Kuran është ai i Musait, paqja qoftë mbi të, dhe po ashtu tregimi që përmendet më së shumti është tregimi i tij, në kohën kur armiqësia e jehudëve kundrejt Muhamedit, paqja e Allahut qoftë mbi të, dhe pasuesve të tij ishte shtuar tej mase. Kjo, për shkak se ai fliste me shpallje nga Allahu e jo me tendenca e urrejtje njerëzore. Të vërtetën e flet Allahu kur thotë për të Dërguarin e tij, Muhammedin, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të:
Ai nuk flet sipas qejfit të vet, por ajo (që thotë) është vetëm shpallje hyjnore, që i vjen atij. [Kuran 53:3,4]
Akuzimi i ndonjë pejgamberi kurrsesi nuk mund të jetë prej besimit të muslimanëve, përkundrazi kjo gjë e nxjerr njeriun nga Islami. Për këtë arsye muslimanët i kundërshtojnë ata që e përgënjeshtrojnë pejgamberllëkun e Musait a të Isait, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi ta. Kundërshtimi i tyre shtohet edhe më tepër ndaj atyre që e akuzojnë Isanë, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, se është i lindur jashtë martese dhe ndaj atyre që e përgënjeshtrojnë Muhamedin, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të. Akuza ndaj ndonjë pejgamberi, në të vërtetë, është akuzë ndaj Dërguesit, Allahut të Lartësuar. Muslimanët besojnë se Allahu i dërgoi të gjithë të dërguarit për ta udhëzuar njerëzimin, duke shfaqur vërtetësinë e tyre përmes dëshmive dhe mrekullive.
Përgënjeshtrimi që e bëjnë përgënjeshtruesit dhe tallja e përqeshësve nuk e dëmtojnë pejgamberllëkun e tyre, madje çdo pejgamber i Allahut u lëndua dhe përgënjeshtrua.
Burimi: "Hiuar me'a nasrani" – Dr. Halid El-Kasim
Përktheu: Jusuf Kastrati – Shembulli.com