Zoti im

O Zoti im, a mund të kërkoj ende diç nga Ti, kur Ti më ke dhuruar aq shumë?

A mund të kërkoj shëndet, kur unë nuk të bindem?

A mund të kërkoj të më mbrosh, kur unë nuk të bie në sexhde, nuk të përulem?

A mund të kërkoj të më shërosh, kur mua as që më shkon ndërmend ta fal namazin?

O Zoti ynë! Sikur të kishim ndonjë mik që do të na ndihmonte në çdo situatë dhe i cili me shumë dëshirë do të takohej me ne, do të ndante me ne të mirën dhe të keqën dhe çdo gjë që posedon ai, ne me siguri do ta falënderonim shumë atë, vazhdimisht do ta përmendnim atë për të mirë, do ta ruanim atë miqësi si sytë e ballit, madje nëse dikush do të fliste keq për të, ne do ta mbronim atë me fanatizëm.

Por, çfarë bëjmë për Ty, o i Gjithëmëshirshëm?! Sa mendojmë në Ty, o Zoti ynë?! Sa të falënderojmë Ty, o Dhurues i të gjitha të mirave?! Të mirat e tua nuk mund t’i shikojmë me sy e as t’i numërojmë. Ti na jep aq shumë, ndërsa ne as që mendojmë për këtë gjë, madje, për fat të keq, disa nga ne thonë: “unë këtë e kam fituar me djersë”, por vetëm Ti o Allahu ynë e di se kush çka dhe sa ka fituar. Ti na njeh më së miri. I gjithë lavdërimi dhe falënderimi të takon vetëm Ty, o Zoti ynë.

 

Përktheu: Arsim SYLA - Shembulli.COM