Norma e ezanit dhe ikametit
Si ezani po ashtu edhe ikameti janë farz kifaje për xhematin e burrave për pesë kohët e detyrueshme të namazit, qoftë në udhëtim a në vendin ku banojnë, si dhe për atë që del me familje a me shoqëri për t’u dëfryer a për diç tjetër.
Çka pëlqehet të bëjë ai që e dëgjon ezanin?
1. T’i përsërisë fjalët që i thotë muezini, përveç kur thotë “hajje ales-salah, hajje alel-felah” (ejani në namaz, ejani në shpëtim) ky duhet të thotë “la haule ue la kuvvete il-la bil-lah” (S’ka lëvizje e as fuqi pa lejen e Allahut).
2. Të dërgojë salavate mbi Pejgamberin Muhammed, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të.
3. Pasi të dërgojë salavate mbi Pejgamberin, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, të thotë: “Allahumme Rabbe hadhihi ed-da’ëueti’t-tammeh, ues-salati’l-kaimeh, ati Muhammeden el-uesilete uel-fadile, ueb’athhu mekamen mahmuden el-ledhi ueadtehu” [Buhariu (589)] që në shqip domethënë: “O Allahu im, Zoti i kësaj thirrjeje të plotë dhe i këtij namazi që po falet, jepja Muhammedit ndërmjetësimin dhe nderimin dhe ringjalle atë në vendin e nderuar që ia ke premtuar!”
4. Pas mbarimit të ezanit të thotë: “Esh-hedu en la ilahe il-laLlah, uahdehu la sherike leh, ue enne Muhammeden ‘abduhu ue resuluhu, raditu bil-Lahi rabben, ue bi Muhammedin resulen, ue bil-Islami dinen” [Muslimi (386)] që në shqip domethënë: “Dëshmoj se askush dhe asgjë nuk meriton të adhurohet përveç Allahut, i Cili është i Një dhe i pashoq dhe se Muhamedi është robi dhe i dërguari i Tij. Jam i kënaqur që Allahu është Zoti im, Muhamedi i Dërguari im dhe Islami feja ime”.
5. Pas kësaj të lutet për veten e tij çka të dëshirojë.
Marrë nga libri "Et-tuhfe el-islamijje li talibi'l-hidaje er-rabbanijje" të autorëve Ibrahim El-Ued'an, Muhammed El-Ued'an dhe Abdurrahman El-Ued'an
Përktheu: Jusuf Kastrati – Shembulli.com