Kushtet e namazit

Namazi nuk është i vlefshëm pa i plotësuar gjashtë kushtet vijuese:

1. Pastrimi nga hadethi[1] (papastërtia kuptimore):

Namazliu duhet të pastrohet nga hadethi i madh duke bërë gusël, ndërsa nga hadethi i vogël duke marrë abdes.

2. Heqja e ndyrësisë:

Namazliu duhet të mos ketë ndyrësi në rrobat me të cilat falet, në vendin ku falet a në trupin e tij. Prej ndyrësive janë jashtëqitjet, urina dhe gjaku i shumtë.

Çështje:

Nëse ndokush falet me rroba të ndyra (këmishë, pantallona a kapelë) ose ka ndyrësi në trup a në vendin ku falet, duke mos e ditur ose ka harruar, atëherë për të ekzistojnë dy gjendje:

a) Po qe se nuk e di a nuk i kujtohet derisa ta mbarojë namazin, atëherë namazi i tij është i vlefshëm, sipas mendimit më të saktë të dijetarëve.

b) Në qoftë se gjatë namazit e merr vesh a i kujtohet se ka ndyrësi, atëherë ai detyrohet ta largojë ndyrësinë po qe e mundur, duke zhveshur rrobën e ndyrë a duke u larguar nga vendi i ndyrë, dhe ta plotësojë namazin. Mirëpo, nëse nuk mund ta largojë ndyrësinë, atëherë ai detyrohet ta ndërpresë namazin, ta heqë ndyrësinë dhe ta nisë namazin nga fillimi.

3. Hyrja e kohës:

Namazi i detyrueshëm është i pavlefshëm nëse falet para kohe ashtu siç ndalohet vonimi i tij derisa t’i kalojë koha.

Çështje:

a) Detyrë jona është që ta falim namazin në kohën e vet, vonimi i namazit bën pjesë në mëkatet e mëdha të cilave duhet t’i shmangemi patjetër. Allahu i Lartësuar thotë:

“Mjerë për ata që falen, të cilët janë të pakujdesshëm ndaj namazit të tyre”.[2]

b) Duhet të ruhemi nga pakujdesia që e kanë disa njerëz,  të cilët e vonojnë namazin e sabahut derisa t’i kalojë koha, sepse muslimani është i detyruar t’i marrë shkaqet ndihmëse për t’u zgjuar me kohë për namaz të sabahut.

c) Nëse ndokush e harron ndonjë namaz a nuk i del gjumi për ta falur atë, atëherë duhet ta falë atë posa t’i kujtohet a t’i dalë gjumi, sepse pas kësaj nuk lejohet ta vonojë.

d) Nëse ndokush udhëton me avion a me tren dhe nuk ndalet derisa t’i kalojë koha namazit, atëherë ai është i detyruar ta falë namazin në kohë dhe nuk i lejohet ta vonojë derisa të zbresë nga mjeti i udhëtimit. E njëjta vlen edhe për atë që udhëton me autobus, nëse ngasësi nuk pranon ta ndalojë autobusin derisa t’i kalojë koha namazit.

4. Mbulimi i auretit (pjesëve të turpshme të trupit):

Muslimani është i detyruar ta mbulojë auretin e tij gjatë namazit. Aureti i mashkullit është nga kërthiza gjer në gjunjë, mirëpo më mirë është t’i mbulojë edhe shpatullat, ndërkaq aureti i femrës në namaz është i tërë trupi i saj, përveç fytyrës, shuplakave dhe këmbëve.

Norma e faljes me rroba të holla

Falja e namazit me rroba të holla që e përshkruajnë ngjyrën e trupit është e ndaluar, përveç nëse nën to vishen pizhame që mbulojnë pjesën nga kërthiza gjer në gjunjë (për burrat). Ndërkaq, namazi i atij që falet me rroba të holla që ia përshkruajnë pjesët që quhen auret është i pavlefshëm po qe se ka mundësi të mbulohet.

5. Drejtimi nga kibleja:

Namazliu është i detyruar të drejtohet nga Qabeja e shenjtë. Mjafton për atë që ndodhet larg Qabesë të kthehet në drejtim të saj dhe nuk i bën dëm shmangia e pakët.

Namazi që falet jo në drejtim të kibles

Në qoftë se udhëtari gjendet në mjet udhëtimi, siç janë vetura, avioni, anija dhe treni, mund të falë namaz vullnetar, pa marrë parasysh nga drejtohet mjeti i udhëtimit, pra edhe nëse nuk është në drejtim të Qabesë.

6. Nijeti:

Namazi pa nijet është i pavlefshëm, mirëpo në të njëjtën kohë nuk duhet tepruar kur e bëjmë nijetin, sepse nijeti është qëllimi a vendosja për ta falur namazin, kështu që mjafton të vendosim me zemër. Kurse, shqiptimi i nijetit nuk është i ligjëruar fetarisht, madje është risi në fe.

Ç’duhet bërë kur shkojmë për të falur namazin?

Kur të shkojmë për t’u falur në xhami duhet që:

1. Të nisemi herët dhe të jemi me abdes.

2. Të mos ulemi kur të hyjmë në xhami pa i falur dy rekate (tehijjetul-mesxhid), sepse janë sunet i fortë.

3. Të kujdesemi për t’u falur në rreshtin e parë.

4. Të kujdesemi për të zënë tekbirin fillestar me imamin e të mos vonohemi duke biseduar me njerëz, duke folur në telefon, duke pastruar dhëmbët me misvak[3] a duke u marrë me gjëra tjera.

 

 

Marrë nga libri "Et-tuhfe el-islamijje li talibi'l-hidaje er-rabbanijje" të autorëve Ibrahim El-Ued'an, Muhammed El-Ued'an dhe Abdurrahman El-Ued'an

Përktheu: Jusuf Kastrati – Shembulli.com

 

_________________________________

[1] Hadeth i madh quhet papastërtia kuptimore për të cilën jemi të detyruar të bëjmë gusël, ku hyjnë: xhunubllëku, lehonia dhe të përmuajshmet, kurse hadeth i vogël quhet papastërtia për të cilën jemi të detyruar të marrim abdes. Shënim i përkthyesit J.K.

[2] Sureja El-maun: 4, 5.

[3] Brushë natyrale për pastrimin e dhëmbëve. Sh.p. J. K.


Revista Shembulli