Mos u bëj mendjemadh!

Nga Abdullah ibni Mes'udi, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcillet se Pejgamberi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: "Nuk do të hyjë në Xhenet ai që në zemrën e tij ka qoftë edhe sa grimca mendjemadhësi."

Atëherë, një njeri tha: "Njeriu ka dëshirë që rrobat dhe këpucët e tij të jenë të bukura." Kurse i Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, ia ktheu: "Vërtet, Allahu është i bukur dhe e do bukurinë, kurse mendjemadhësia është mospranimi i së vërtetës dhe nënçmimi i njerëzve". [Hadithin e transmeton Muslimi]

Domethënia e hadithit

Krenaria dhe madhështia i takojnë vetëm Allahut të Lartësuar dhe askujt prej krijesave nuk i takon që të ketë hise në këto gjëra, kur dihet se ai i cili shpreh mendjemadhësi e sheh veten e tij më të madh dhe më të mirë se të tjerët.

Mendjemadhësia më e madhe dhe më e shëmtuar është që njeriu të tregohet mendjemadh ndaj Zotit të vet, duke mos pranuar të vërtetën dhe duke kundërshtuar nënshtrimin dhe bindjen ndaj Allahut. Për këtë arsye, kur dëgjoi njëri nga sahabët thënien e Pejgamberit - paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të - lidhur me atë që tregohet mendjemadh tha: "Njeriu ka dëshirë që rrobat dhe këpucët e tij të jenë të bukura." Pra, a numërohet kjo mendjemadhësi? Pejgamberi - paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të - ia bëri të ditur atij se një gjë e tillë është nga bukuria të cilën e do Allahu dhe se nuk ka të bëjë me mendjemadhësi, ngaqë mendjemadhësia është përçmimi i njerëzve dhe mospranimi i së vërtetës nga kryelartësia. Allahu na ruajt nga këto gjëra.

Dobitë e hadithit

1. Islami nxit besimtarin të jetë i thjeshtë, modest.

2. Tërheqja e vërejtjes për ruajtje nga mendjemadhësia, edhe nëse është e pakët.

3. Islami nxit në pastërtinë e trupit dhe të rrobave.

 

Përktheu: Jusuf Kastrati – Shembulli.com
Marrë nga libri “Hadithi”, Instituti i Mësimit të Gjuhës Arabe, Universiteti “Imam” - Riad 


Revista Shembulli