Norma e namazit
Namazi është detyra më e madhe pas teuhidit (njësimit të Allahut në adhurim). Falja e pesë namazeve ditore është farz (detyrë) për çdo musliman që është moshërritur dhe mendërisht i shëndoshë. I Madhërishmi thotë në Kuran:
"Faleni namazin, jepeni zekatin dhe përkuluni në ruku bashkë me ata që përkulen (në namaz)." [Sureja el-Bekare: 43]
Rëndësia e namazit
1. Namazi në Islam ka rëndësi të madhe dhe pozitë të lartë, meqë është rukni i dytë i Islamit dhe njëherazi shtylla e fesë. I Dërguari i Allahut, Muhammedi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Islami është ndërtuar mbi pesë shtylla: dëshmia se askush dhe asgjë nuk meriton të adhurohet përveç Allahut, falja e namazit, dhënia e zekatit, haxhi dhe agjërimi i ramazanit.”1
2. Namazi është drita e muslimanit në këtë botë dhe në Ditën e Gjykimit. I Dërguari i Allahut, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush e ruan namazin, ai do të jetë për të dritë, argument dhe shpëtim në Ditën e Gjykimit, kurse ai që nuk e ruan atë nuk do të ketë dritë, as argument e as shpëtim dhe në Ditën e Gjykimit do të jetë bashkë me Karunin, Faraonin, Hamanin dhe Ubej ibën Halefin".2
3. Namazi është vizë ndarëse ndërmjet muslimanit dhe jobesimtarit. I Dërguari i Allahut, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Vërtet, ndërmjet njeriut dhe shirkut e kufrit qëndron lënia e namazit.”3 Po ashtu ka thënë: “Ajo që na dallon ne nga ata (jobesimtarët) është namazi, kushdo që e lë atë bën kufër”4.
Marrë nga libri "Et-tuhfe el-islamijje li talibi'l-hidaje er-rabbanijje" të autorëve Ibrahim El-Ued'an, Muhammed El-Ued'an dhe Abdurrahman El-Ued'an
Përktheu: Jusuf Kastrati
____________________________________
1Buhariu (8) dhe Muslimi (16).
2Ahmedi (2/169), Ibën Hibbani e cilëson si “sahih” (1467), kurse Ibën Abdil-Hadi thotë se isnadi i tij është “xhejjid” (i mirë) në librin “Tenkijh tahkijk ehadith et-ta’lijk” (2/117).
3Muslimi (82).
4Ahmedi (5/346), Tirmidhiu (2621), Nesaiu (463), kurse Albani e cilëson këtë hadith si “sahih” në librin “Sahih et-tergijb uet-terhijb” (561).