Ajet Kuranor:
Allahu i Madhërishëm thotë:
Tani është e lejuar për ju që, gjatë netëve të agjërimit, të shkoni me bashkëshortet tuaja. Ato janë petk për ju e ju jeni petk për ato. Allahu e di mirë se ju e keni mashtruar veten (duke shkuar me gratë para se të zbriste lejimi), por Allahu e ka pranuar pendimin tuaj dhe jua ka falur gabimin. Prandaj, ju lejohet bashkimi me bashkëshortet tuaja dhe tani kërkoni atë që ka caktuar Allahu për ju. [Kuran 2: 187]
Hadith:
I Dërguari i Allahut, Muhammedi, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Ai që e ushqen një agjërues e ka shpërblimin e njëjtë me të, pa iu zvogëluar agjëruesit aspak shpërblimi”.
Dikush nga selefët është pyetur: “Përse është ligjëruar agjërimi?” Ai është përgjigjur: “Që i pasuri ta shijojë urinë e të mos e harrojë të uriturin”.
Vëlla i dashur dhe motër e nderuar sa herë ju bie ndërmend për nevojtarët?!
Garoni për te i Gjithmëshirshmi:
Haseni, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Allahu e bëri muajin e ramazanin maratonë për robërit e tij, ku garojnë me bindje ndaj Tij për të fituar kënaqësinë e Tij. Disa njerëz garuan dhe fituan, ndërsa disa të tjerë mbetën mbrapa dhe humbën. Sa e çuditshme është puna e atij që luan dhe qesh në ditën kur fitojnë të devotshmit dhe humbasin dështakët”.
Shkëputur nga libri: “Jeumijat saimeh” (Hakibetu saimat) – të autorëve dr. Adil Esh-Shiddi dhe dr. Ahmed El-Mezjed
Përktheu: Jusuf H. Kastrati – Shembulli.com