Dita e Ashuras është dita e dhjetë e muajit Muharrem. Ajo është dita në të cilën Allahu shpëtoi Musain dhe popullin e tij nga Faraoni. Kur Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] emigroi në Medine vuri re se çifutët e agjëronin këtë ditë dhe kur i pyeti i thanë: “Kjo është një ditë e madhe në të cilën Allahu shpëtoi Musain dhe popullin e tij dhe e mbyti Faraonin bashkë me ushtrinë e tij. Për këtë arsye Musai e agjëronte këtë ditë si shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi ndaj Allahut, andaj dhe ne e agjërojmë këtë ditë.” Transmetua Buhariu dhe Muslimi.
Në një transmetim tjetër Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] mësohet të ketë thënë pasi dëgjoi këtë gje nga çifutet: “Ne jemi më afër Musait se ju.” Pastaj urdhëroi që të agjërohet ajo ditë.
Nga ky hadith kuptojmë se mund të falënderohet Allahu xh.sh për ndonjë mirësi të madhe që të ka dhënë duke agjëruar ashtu siç shpreh shenjë falënderimi duke bërë kurban ose në mënyrën më të lehtë duke bërë sexhde.
Po ashtu në transmetime të tjera të sakta shënohet se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka urdhëruar që të mos u përngjajmë çifutëve në adhurimet e tyre andaj ka këshilluar të shoqërohet Dita e Ashuras duke agjëruar një ditë përpara. Në një hadith që e shënon Muslimi, Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] u tha sahabëve se nëse do të ishte gjallë vitin e ardhshëm do të agjëronte ditën e nëntë të Muharremit, dmth një ditë para Ashuras. Nga kjo kuptojmë se vetë Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] zgjodhi si ditë shoqërimi një ditë para saj, çka do të thotë se ndjekja e këtij suneti është shpërblim më vete.
Vlera e kësaj dite është shumë e madhe. Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] kur është pyetur për këtë ka thënë se ajo ditë shlyen mëkatet e një viti më parë. Transmetoi Muslimi.
Ndërkohë në një hadith tjetër të Buhariut dhe Muslimit bashkë, Ibn Abbasi na tregon se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] nuk ka agjëruar ndonjë ditë ku të kërkonte vlerën dhe mirësinë e saj më shumë se çdo ditë tjetër se sa dita e Ashuras. D.M.TH ishte përherë vigjilent që kjo ditë mos t’i kalonte pa agjërim. Për këtë arsye shumë prej selefëve kanë agjëruar një ditë para dhe një ditë pas nga frika se ndoshta njerëzit nuk bien dakord plotësisht se kur është parë hëna e muajit Muharrem andaj agjëronin ditën e ashuras duke i shoqëruar një ditë para dhë një ditë pas, vetëm e vetëm që të mos u ikte ajo ditë e madhe e bashkë me të dhe vlera e shpërblimi i madh. Madje transmetohet se sahabet kishin zakon t’i bënin fëmijët e tyre të agjëronin në këtë ditë dhe gjatë ditës i hutonin me lodra të ndryshme për të kaluar lehtë urinë.
Hoxhë Mustafa Tërniqi