Shpesh na ndodhë që dashamirë, shokë, jarana e madje edhe familjarë na hidhërohen vetëm pse i qortojmë përkatësisht i këshillojmë në të drejtën dhe veç për hir të Allahut Bujar. Kjo nuk është e lehtë për ne, porse kjo është ajo çka Krijuesi ynë Madhështor kërkon nga ne, pra që të jemi të sinqertë, të drejtë dhe ta themi të vërtetën edhe atëherë kur është kundër nesh e jo t’ia bëjmë njerëzve rrafsh e të bëhemi dyfytyrësh.
Pra ne nuk guxojmë t’ia bëjmë rrafsh askujt apo të heshtim në një çështje fetare, të cilat i dimë - sikur Allahu i Lartësuar që është Një - se janë ashtu siç i themi. Prandaj, ne patjetër që duhet të këmbëngulim dhe të mos lëshojmë pe, sidomos në çështje fetare, porse vetëm atëherë kur jemi të sigurt se është ashtu dhe kur mund ta argumentojmë.
Gjithashtu duhet të jemi të kujdesshëm dhe të jemi të butë e të durueshëm në këshilla e jo të nxehemi edhe nëse e kemi me vend.
Përndryshe duhet të jemi edhe vetëqortues kur e kemi gabim dhe ta pranojmë atë dhe madje të kërkojmë falje. Fundja cili prej nesh është i tillë që nuk bën gabime. Pra për t’i pa gabimet tona përkatësisht për ta pa veten duhet të shikohemi në pasqyrë dhe pasqyra jonë më e mirë është vëllai apo motra me të cilin jetojmë e diskutojmë dhe na e tërheq vërejtjen për hir të Allahut të Lartësuar.
Thënë shkurt ne të gjithë kemi nevojë për këshilla dhe qortime, se vetëm kështu mbrojmë njëri-tjetrin nga mashtrimi i shejtanit të mallkuar dhe me këtë nga zjarri i Xhehenemit.
Në lidhje me këto shikoni edhe vargjet përkatësisht faktet e mëposhtme Kur’anore:
4,135: O ju besimtar, dëshmoni të vërtetën/ të drejtën për hir të Allahut edhe nëse ajo është kundër vetvetes suaj, kundër prindërve ose kundër të afërmve, ...
103,2-3: “Me të vërtetë njeriu është në humbje; përveç atyre që besojnë, bëjnë vepra të mira, i këshillojnë njëri-tjetrit të vërtetën dhe i këshillojnë njëri-tjetrit të durimin”
2,159: “Ata, të cilët fshehin argumentet dhe faktet që Ne i shpallëm, e pasi që ato ua sqaruam njerëzve në libër, të tillët i mallkon Allahu, ...”
2,174: Ata që fshehin nga libri atë që shpalli Allahu dhe për të fitojnë shumë të paktë, ata në barqet e tyre fusin vetëm zjarr. ...
Sidoqoftë nëse çmimi i thënies së të vërtetës është që njerëzit të distancohen nga ne, atëherë duhet të jemi të gatshëm ta pranojmë këtë çmim me të dy duart dhe të mos kthehem prapa as një milimetër. Nuhu, alejhis-selam, 950 vjet e thirri popullin e vetë në të drejtën dhe nuk u dorëzua, edhe pse ata e larguan, e shanë, e çka nuk i bënë. Ndërsa ne menjëherë dorëzohemi, posa dikush të na thotë që ta lëmë rehat. Jo jo, kjo nuk është devotshmëri, kjo është ligësi.
Nuk guxojmë të heshtim ndaj të keqes, se na mallkon Ai i Gjithëdijshmi. Pra nuk guxojmë të ia lejojmë vetës që për hir të jaranisë përkatësisht dunjasë ta hidhërojmë Atë Bujarin dhe kështu ta fitojmë hidhërimin e Tij dhe ta humbim ahiretin. Allahu i Lartësuar na ruajt!
Imani e devotshmëria nuk janë veç me zemër, se në qoftë se është ashtu, atëherë shumica e shqiptarëve e paskan mirë, meqë thonë se mjafton që e kam zemrën e mirë dhe nuk kam nevojë të falem, të shkoj në xhami në Xhami, e kështu me radhë. Porse kjo nuk është asgjë tjetër, veçse hile e shejtanit të mallkuar.
E si guxojmë të heshtim ndaj një të keqeje e cila dashamirin tonë e dërgon në zjarr të Xhehennemit?! Tjetër gjë është se a i pëlqen e vërteta dikujt apo jo!
Konkretisht, para pak kohe jam munduar me mish e me shpirt ta bindja një mikeshë që të mos marrë kredi me kamatë, e sidomos kur ishte mundësia ta blejë banesën që e dëshironte me financim hallall nga Institutet Islame që tani funksionojnë edhe në Gjermani, për çka edhe enkas për atë mikeshë pata kontaktuar me ato institute.
E megjithatë ajo sërish e dëgjoi shejtanin e mallkuar dhe e mori atë banesë duke nxituar me kredi me kamatë dhe nuk pat durim me prit pak, kështu që ta blinte atë banesë me hallall.
Kjo është për tu çmendur, por se çka t’i bësh, kur dikush dëshiron të shkoj në zjarr, ai megjithatë do të shkojë.
Dhe në rastin e kamatës, Ai i Lartësuari na thotë në Kur’an se je në luftë me të, e si guxojmë të heshtim në këtë çështje, kur në atë banesë e atë pasuri kurrë hajr nuk do të ketë, kur je në luftë me Allahun e Madhërishëm.
Për këtë shikoni edhe këto vargje Kur’anore:
2,275-279: „Ata që marrin fajde, ata do të ringjallen si ngrihet ai çmenduri nga të prekurit e djallit. ... Atij që i ka arritur këshillë (udhëzim) prej Zotit të tij dhe është ndalë (prej kamatës), atij i ka takuar e kaluara dhe çështja e saj mbetet te Allahu, e kush e përsërit (pas ndalimit), ata janë banues të zjarrit, ku do të mbesin përgjithmonë.; ... O ju që besuat, kini frikë Allahun dhe nëse jeni besimtarë të sinqertë , hiqni dorë nga kamata.; E në qoftë se nuk e bëni këtë (nuk hiqni dorë nga kamata), atëherë binduni se jeni në luftë me Allahun dhe të dërguarin e Tij. ...“
Kjo tek populli ynë përkufizohetpërafërsisht në këtë mënyrë:
Miku apo dashamiri ta thotë atë që e ka në sy, kurse armiku ta bën rrafsh.
Me këtë rast dua të lidhem edhe me hadithe të Muhammedita.s., - pra gjithmonë përafërsisht dhe duke i komentuar ato e jo duke pretenduar se po i citoj 100% saktë - të cilat na tregojnë se:
Rruga për në Xhennet është me plot gjemba/therra, kurse për në Xhehennem shkohet shumë lehtë.
Kjo na mëson pra se pa durim, ne marrim vendime të nxituara që i pëlqejnë shejtanit të mallkuar dhe jo Krijuesit tonë Bujar. Pra durimi është shtyllë e fortë e besimit/imanit të një muslimani dhe atë nuk e cek kot Allahu Mëshirëplotë shumë e shumë herë në Kur’an, ndër të tjera tek 2,45; 2,153; 2,155; 2,249 dhe 2,250
Ma bëni hallall ju lutem!
Paqja, mëshira dhe bekimi i Allahut Madhështor qofshin me juve!