I bekuari zbriti në natën e bekuar

“Ne e zbritëm Kuranin në një natë të bekuar. Vërtet, Ne gjithmonë kemi qenë paralajmërues.”[1] Shihe vëlla i dashur dhe ti oj motër e nderuar se si Allahu i bëri bashkë shumë begati në Natën e Kadrit!

Kur’ani është i bekuar, atë ia zbriti Xhibrili, meleku më i bekuar, njeriut më të bekuar, Muhammedit, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të.

Ndërsa, dhuruesi i të gjitha begative, pa dyshim që është Allahu, i Lartmadhërishmi. Andaj, është shumë me rëndësi, që muslimani të bëjë përpjekje të mëdha për të arritur bereqetin e kësaj nate, në mënyrë që të përfitojë nga ky bereqet në këtë botë, në jetën e varrit dhe në botën e amshueshme.

 

Dr. Abdullah El-Gufejli

 

“Melekët dhe shpirti (Xhibrili), me lejen e Zotit të tyre, zbresin në këtë natë.”[2] Zbritja e melekëve në tokë nënkupton zbritjen e mëshirës, hajrit dhe bereqetit, prandaj moshyrja e melekëve në ndonjë vend është argument se në atë vend nuk ka hajr dhe bereqet, siç janë vendet në të cilat gjenden fotografi të ndaluara.

Shejh Ibën Uthejmin

 

“E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është nata e Kadrit?”[3] Me sa karakteristika madhështore u stolis kjo natë! Madhështia e atij që zbret në të (Kur’anit), madhështia e kohës, madhështia e adhurimit, madhështia e atyre që zbresin në të (melekëve), madhështia e dhënies pa kufi, dhe, misku i tërë kësaj është: “Paqe është ajo deri në lindjen e agimit.”[4] Ah, të mjerët ata që anashkaluan këtë natë! Ah, të mjerët ata që nuk hynë në radhët e ambiciozëve...!

Prof. Dr. Nasir El-Umer

 

Përktheu: Jusuf Kastrati

Përmblodhi: Qendra “Tedebbur” për Studime dhe Konsultime, Riad



[1] (Sureja ed-duhan: 3).

[2] (Sureja el-kadr: 4).

[3] (Sureja el-kadr: 2).

[4] (Sureja el-kadr: 5).