Viteve të fundit janë shpeshtuar sulmet ndaj figurës dhe personalitetit të Ibn Tejmijes (661-728/1263-1328). Sulmet janë ndërmarrë kryesisht nga ekstremistët laikë dhe nga disa rryma sofiste, të miratuara nga Amerika dhe të mbështetura nga Irani dhe regjimi i Gadafit, i cili bënte thirrje për të ringjallë shtetin shiit batinij të fatimijëve. Një prej këtyre rrymave në fjalë, që vepron në Kajro, shkon aq larg saqë në një botim të tyre nuk ngurron ta quajë Ibn Tejmijen “të prishur, të pandershëm, gënjeshtar, frikacak, i mangët në mendje (i marrë) dhe në fe (hipokrit), përgënjeshtrues të Zotit, krijuesit të botëve, njeri që trinitetin e ka zëvendësuar me kredon e teuhidit (monoteizmit).”
Ky klasifikim amerikano-shekullaro-sofist i Ibn Tejmijes ndodh në kohën kur liderët bashkëkohorë të rizgjimit islam njëzëri shprehen për pozitën e lartë që Ibn Tejmije ka në këtë proces të rizgjimit, rizgjim ky që, jo vetëm në të kaluarën, por edhe tani vazhdon të ballafaqohet me dekadencën e trashëguar, në njërën anë, dhe dominimin e perëndimit imperialist dhe luftës ideologjike ndaj botës islame, në anën tjetër. P.sh. Muhammed Abduhu (1266-1323 h./1849-1905), si një pionier i këtij rizgjimi, Ibn Tejmijen e përshkruan si ‘dijetarin më të madh të Sunnetit dhe njeriun me xhelozinë më të madhe për fe.’ Ndërsa për kundërshtarët dhe ofenduesit e tij thotë: ‘Janë imitues. Ata kanë gojët plot me sharje e ofendime dhe ata bartin mëkatin e këtyre sharjeve sikur që bartin gjer në kiamet edhe mëkatin e të gjithë atyre që veprojnë ngjashëm me ta.’
Muhammed Abduhu ishte pionieri i ringjalljes së burimeve të trashëgimisë në kohën tonë moderne, i pari që porositi për botimin e librave të Ibn Tejmijes dhe, si hap konkret, librat ‘Minhaxhu’s-Sunneti’n-Nebevijjeti’ dhe ‘Der’u tearudi sahihi-l-menkuli bi sarihi-l-ma’kuli’ të cilët janë botuar.
Imami Abdul Hamid ibn Badisi (1308-1359/1889-1940), lider i këtij rizgjimi nga tabori maroken, projektin intelektual të Ibn Tejmijes e përshkruan si ‘thelb dhe esencë të sheriatit islam.’ Kurse Imami Muhammed El-Beshir El-Ibrahimij (1306-1385/1889-1965) Ibn Tejmijen e përshkruan si ‘shembull për guximin e (shprehjes së) mendimit’, i cili i kishte shpallur luftë risive dhe besëtytnive në kohën kur ato kishin primatin e fuqisë dhe pushtetit, promovoheshin nga pushtetarët zemërgurë e mbështeteshin nga dijetarët mendjelehtë e keqinterpretues. Ai jetoi si dëshmitar dhe vdiq si dëshmor ndërsa pas vete la muzgun që lë dielli për të ndriçuar rrugën e atyre që udhëtojnë nga fundi i natës.
Për Ibn Tejmijen dhe Muhammed Abduhun ka folur edhe Shejh Beshiri, i cili thotë se kanë qenë adresë e lëvizjes reformiste në Algjeri dhe Marok dhe se kundërshtarët e kësaj lëvizjeje i kanë etiketuar pasuesit e saj me emrat ‘tejmist dhe abdevist.’
Për Ibn Tejmijen nga krahu lindor i rizgjimit islam ka folur edhe Mevdudi (1321-1399/1903-1979), i cili Ibn Tejmijen e radhit në krye të reformistëve. Sipas tij, Ibn Tejmije është:
- ai që ka kritikuar logjikën dhe filozofinë greke,
- ai që paraqiti fakte dhe argumente për korrektësinë dhe saktësinë e kredos dhe normave të Islamit,
- ai që jo vetëm urrejti imitimin e verbër, porse solli edhe shembull të një ixhtihadi (përpjekjeje shkencore) sipas mënyrës së dijetarëve të gjeneratave të para,
- ai që nuk kurseu mund dhe nuk u thye nga sprovat e fatkeqësitë e shumta për të luftuar risitë, traditat idhujtareske, bindjet dhe moralin e gabuar,
- ai që luftoi personalisht tatarët dhe barbarizmin e gjenocidin e tyre.
Ja, kështu dëshmuan liderët e rizgjimit bashkëkohor islam për Shejhu’l-Islam Ibn Tejmijen dhe këto ishin fjalët e tyre për pozitën e tij të dalluar në mesin e reformatorëve myslimanë, në përgjithësi, dhe vendin e tij të çmuar në rizgjimin islam bashkëkohor, në veçanti. Ai është ‘dijetari më i madh i Sunnetit dhe njeriu me xhelozinë më të madhe për fe, ndërsa veprat e tij janë esenca dhe thelbi i fesë. Ai jetoi si dëshmitar dhe vdiq si dëshmor. Ishte yll shndritës dhe diell ndriçues në qiellin e Islamit.’
Muhammed Ammare
Burimi: http://iumsonline.org/ar/3/lmth-lhgom-aal-shykh-lslm/