Ç'është besimi në Ditën e Gjykimit?
Kjo domethënë të besosh në tërë atë që ka ardhur në Kur'an dhe për të cilën na ka lajmëruar Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem!) lidhur me ngjarjet që do të ndodhin pas vdekjes, siç janë: sprova e varrit, dënimi dhe begatitë e tij, ndodhitë e Ditës së Kijametit, si: ringjallja, llogaria, peshorja, xheneti, xhehenemi e kështu me radhë.
Sprova e varrit
Me fjalën sprovë, në këtë rast, nënkuptohet provimi i njerëzve në varret e tyre kur i thuhet njeriut: Kush është Zoti yt? Cila është feja jote? Cili është pejgamberi yt? Allahu i forcon ata që besuan me fjalën e fortë në jetën e kësaj bote dhe në botën tjetër. Atëherë, besimtari thotë: Zoti im është Allahu, feja ime është Islami dhe pejgamberi im është Muhamedi (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem!), kurse ai që dyshonte do të thotë: nuk e di, kam dëgjuar njerëzit duke thënë diç e thashë edhe unë.
Dënimi dhe shpërblimi në varr
Pas sprovës së varrit do të ketë ndëshkim ose shpërblim deri sa të bëhet Kijameti i madh. Varri do të jetë kopsht prej kopshteve të xhenetit ose gropë prej gropave të zjarrit. Argument për ndëshkimin në varr është thënia e të Lartmadhërishmit përkitazi me ithtarët e Faraonit, ku thotë:
النَّارُ يُعْرَضُونَ عَلَيْهَا غُدُوًّا وَعَشِيًّا وَيَوْمَ تَقُومُ السَّاعَةُ أَدْخِلُوا آلَ فِرْعَوْنَ أَشَدَّ الْعَذَابِ
Ata i nënshtrohen zjarrit mëngjes e mbrëmje, e Ditën e Kijametit (u thuhet engjëjve): "Ithtarët e faraonit futni në dënimin më të rëndë!"[1]
Kijameti i madh
Pas përfundimit të kohës së berzahut[2] ndodh Kijameti i madh. Shpirtrat i kthehen trupave, në të cilët ishin në dunja, pastaj ngrihen njerëzit nga varret e tyre për të dalë para Zotit të botëve. I Lartmadhërishmi thotë:
أَلَا يَظُنُّ أُولَئِكَ أَنَّهُم مَّبْعُوثُونَ لِيَوْمٍ عَظِيمٍ يَوْمَ يَقُومُ النَّاسُ لِرَبِّ الْعَالَمِينَ
A nuk e dinë të tillët se kanë për t'u ringjallur? Në një ditë të madhe, në ditën kur njerëzit ngrihen (prej varreve) për të dalë para Zotit të botëve.[3]
Ky është Kijameti, për të cilin na ka lajmëruar Allahu nëpërmjet Librit të Tij famëlartë dhe nëpërmjet gjuhës së Pejgamberit të Tij (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem!) dhe për ndodhinë e të cilit kanë rënë në ujdi muslimanët.
Peshorja
Peshorja është realitet. Në të do të peshohen veprat e robërve Ditën e Kijametit. I Lartmadhërishmi thotë:
وَالْوَزْنُ يَوْمَئِذٍ الْحَقُّ فَمَن ثَقُلَتْ مَوَازِينُهُ فَأُوْلَـئِكَ هُمُ الْمُفْلِحُونَ وَمَنْ خَفَّتْ مَوَازِينُهُ فَأُوْلَـئِكَ الَّذِينَ خَسِرُواْ أَنفُسَهُم بِمَا كَانُواْ بِآيَاتِنَا يَظْلِمُونَ
Atë ditë peshimi është i drejtë. Atij që i rëndohen peshojat, ata janë të shpëtuar. Kujt i vijnë lehtë peshojat, ata e humbën vetveten, ngase i refuzuan argumentet Tona me të padrejtë.[4]
Fletushkat e veprave
Këto janë fletushkat, të cilat i shkruajnë melekët në këtë dunja, që janë përcjellës e shkrues të ndershëm, e të cilat do të shpërndahen Ditën e Gjykimit. Besimtari e merr librin me të djathtën e tij, ndërsa krimineli me të majtën e tij apo pas shpine. I Lartmadhërishmi thotë:
وَإِنَّ عَلَيْكُمْ لَحَافِظِينَ كِرَامًا كَاتِبِينَ يَعْلَمُونَ مَا تَفْعَلُونَ
Kurse, mbi ju janë përcjellësit! Janë shkrues të ndershëm te All-llahu. Ata e dinë se çka punoni.[5]
Po ashtu thotë:
فَأَمَّا مَنْ أُوتِيَ كِتَابَهُ بِيَمِينِهِ فَسَوْفَ يُحَاسَبُ حِسَابًا يَسِيرًا
E për sa i përket atij që libri i vet i jepet nga e djathta, ai do të llogaritet me një llogari të lehtë.[6]
Mandej, thotë:
وَأَمَّا مَنْ أُوتِيَ كِتَابَهُ وَرَاء ظَهْرِهِ فَسَوْفَ يَدْعُو ثُبُورًا
E për sa i përket atij që libri i vet i jepet pas shpinës, ai do t'i ndjellë vetes shkatërrim.[7]
Llogaria
Allahu do t'i llogarisë krijesat për punët e tyre, qofshin të mira apo të këqija. Besimtari do të ketë llogari të lehtë. I Lartmadhërishmi thotë:
فَأَمَّا مَنْ أُوتِيَ كِتَابَهُ بِيَمِينِهِ فَسَوْفَ يُحَاسَبُ حِسَابًا يَسِيرًا
E për sa i përket atij që libri i vet i jepet nga e djathta, ai do të llogaritet me një llogari të lehtë.[8]
Atij do t'i paraqiten mëkatet dhe do t'i njohë ato. Ndërsa, jobesimtari do të ketë llogari të rëndë dhe do të frikësohet aq shumë nga vështirësia e llogarisë, saqë do të shpresojë të ishte dhe. I Lartmadhërishmi thotë:
يَوْمَ يَنظُرُ الْمَرْءُ مَا قَدَّمَتْ يَدَاهُ وَيَقُولُ الْكَافِرُ يَا لَيْتَنِي كُنتُ تُرَابًا
...në ditën kur njeriu shikon se çka i kanë sjellë duart e veta, e jobesimtari thotë: "Ah, sa mirë do të ishte për mua sikur të isha dhe.[9]
Pyetje
1. Çka domethënë besimi në Ditën e Gjykimit?
2. Çka nënkuptojmë me sprovën e varrit?
3. Çka i thuhet të vdekurit në varr?
4. Cili është argumenti lidhur me dënimin e varrit?
5. Kur do të llogariten krijesat për veprat e tyre?
6. Përse jobesimtari shpreson të ishte dhe?
Përktheu: Jusuf Kastrati
Marrë nga libri: “Et-Teuhid” - Instituti i Mësimit të Gjuhës Arabe - Universiteti "Imam" në Riad.