
I gjithë Sauku shtangu tek dëgjoi krismat që vinin nga xhamia. Ishte 31 gushti i vitit 1943, dita e parë e muajit të madhnueshëm të Ramazanit. Si ishte e mundur; krisma në xhami?!... Kush kishte qëlluar mbi hoxhën e fshatit, Selim Brahja, që e lau me gjak truallin mbi të cilin bashkëfshatarët shkelnin përpara se të hynin në xhami, për t’iu lutur Zotit?!...
Nuk ishin pak jo, jo! Shumëkujt ndoshta mund t’i duket e pabesueshme, por vrasësit ishin plot shtatë veta. Një togë për ekzekutimin e një njeriu të vetëm! Shtatë burra për të vrarë një njeri të Zotit! Batare plumbash mbi trupin e një kleriku të ndershëm e të devotshëm, që tek falte pesë vaktet, nuk harronte kurrsesi t’i lutej zotit edhe për Shqipërinë. Shtatë vetë me shalle të kuq në kokë, kryen krimin dhe posi gjarpërinj rrëshqitën e u zhdukën shkurreve e drizave për t’u shpëtuar plumbave të pushkëve të djemve të Selim Brahjes; Isufit, Selmanit, Tahirit e Nuredinit, që i ndoqën këmba këmbës. Me të mësuar për vrasjen e të atit, që të katërt rrufeshëm kishin rrëmbyer armët dhe ishin vërsulur për të marrë hak ndaj vrasësve të pabesë, që i kishin shuar jetën Selim Brahjes babait të dashur e të nderuar, që e donin dhe e respektonin aq shumë.
Vrasja e hoxhës së fshatit Sauk, Selim Brahja, sigurisht që mbetet unikale për nga lloji i saj, por veçmas kësaj shënon edhe fillesën e terrorit komunist në Tiranë, shumë kohë përpara se komunistët të vinin në pushtet.
Po kush ishte Selim Brahja dhe përse duhej vrarë ky njeri i mënçur, që jetën e tij ia kishte taksur Shqipërisë edhe Zotit?
Selimi ishte i biri i Ramazan Brahjes atdhetar i shquar, kontributin e të cilit në luftë për lirinë e pavarësinë e Shqipërisë e vlerëson shumë kryepatrioti i Tiranës Hafiz Ibrahim Dalliu, tek e radhit, në listën e gjatë të atdhetarëve tiranas në kryeveprën e tij “Patriotizma në Tiranë”. Dhe nuk ishte aspak i rastësishëm ky nder që i bëhej Ramazan Brahjes, këtij njeriu që gjithë jetën u përpoq e luftoi për atdheun edhe kombin.
Selim Brahja kishte miqësi të ngushtë me dy djemtë e kryeatdhetarit më të shquar të kombit tonë Seremedi Said Toptani, pra me Abdiun dhe Refikun, dy nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Ismail Qemalit në luftën për liri dhe pavarësi të Shqipërisë. I nxitur nga ata dhe në bashkëpunim edhe me Mehmet Efendi Saukun, në vinin 1916 mbas përpjekjesh të mëdha, arritën të hapnin shkollën e parë shqipe në Sauk.
Selim Brahja ishte patriot e atdhetar i orëve të para. I diplomuar për teologji në Turqi, iu përkushtua gjithë jetën petkut të klerikut muhamedan. Falë këtij përkushtimi gëzonte rrespektin jo vetëm e bashkëfshatarëve të tij, por të të gjithë fshatrave për rreth si edhe në Tiranë. Përpos që kishte lidhje të ngushta miqësie me familje të shquara tiranase si Toptani, Mulleti, Stërmasi, Alimehmeti, Basha etj.
Mbi të gjitha Selim Brahja nuk duronte kurrsesi pushtuesit e huaj. Njeri me pikëpamje të pastra demokratike, merr pjesë aktive në lëvizjen demokratike të vitit 1924, në krahun e fanolistave.
Më 1939 i dhemb shpirti e zemra, kur Shqipëria pushtohet nga fashistët italianë. Si antifashist i vendosur, urrejtjen për Duçen dhe sahanlëpirësit që i shkonin nga pas, e shprehte haptazi në çdo bisedë me këdo. Madje kjo propagandë e vazhdueshme kundër pushtuesve italianë ishte arsyeja kryesore, që fashistët arrijnë ta burgosin shumë shpejt, që në mars të vitit 1940 dhe ta dënojnë me katër muaj burg. Por pikërisht këtë periudhë të burgosjes sëtij dashakeqësia e perversëve komunistë, në bashkëpunim edhe me motivet e dobëta të një hasmërie të largët në vite (1914) me fisin e Xhabrahimëve, e shfrytëzon për t’i vënë damkën e bashkëpunëtorit me fashistët, pikërisht këtij njeriu të virtytshëm.
E si mund të cilësohej bashkëpunëtor i fashizmit Selim Brahja (!), ky njeri që aq sa e donte e i adhuronte Zotin e Shqipërinë, po aq i urrente e i mallkonte fashizmin e pushtuesit. Vetëm një njeri dritëshkurtër, me mendje të sëmurë e të mbrapshtë, për çdo gjë, mund ta besonte një shpifurinë të tillë made in sërbo-komuniste. Sepse ishte vërtet çmenduri të cilësohej i tillë Selim Brahja, njeri i dënuar nga fashistët për shkak se strehonte partizanë, sepse në shtëpinë e tij mjekoheshin të plagosur dhe pikërisht aty bëhe furnizimi me armë e municione i çetave partizane. Të cilësohej “bashkëpunëtor”! ky njeri i Zotit, që ishte bërë gjithnjë shpëtimtari i bashkëfshatarëve të tij nga raprezaljet e pushtuesve. Si ishte e mundur të quhej bashkëpunëtor i fashizmit babai i një partizani trim si Isuf Brahja, që luftoi në radhët e batalionit “Kajo Karafili”. Hoxha i fshatit bashkëpunëtor i fashizmit (!) shtëpinë e të cilit, për gjithçka kishte bërë, nazistët gjermanë e dogjën dhe e bënë shkrumb, sapo shkelën në Saukun e bukur.
Por cila qe arsyeja e vërtetë e vrasje së Selim Brahjes? Pa hyrë në detaje të hollësishme, tek risheh edhe një herë gjithçka ka bërë ky njeri, gjithkush e ka fare të lehtë të kuptojë që reputacionit të jashtëzakonshëm të tij në popull dikush i trembej, dikush ia lakmonte e dikush tjetër donte të ia cënonte. Në bashkëpunim me njëri tjetrin hijet e zeza të hasmërisë, u ndërthurën me ato të perversitetit komunist.
Së pari ata zgjodhën kohën e momentin e duhur, kur Italia fashiste po shkonte drejt kapitullimit, e teksa lëvizja antifashiste po rritej, pushteti ishte ende i dobët dhe krejtësisht i pafuqishëm për t’i gjetur e ndëshkuar vrasësit. Së dyti për të kamufluar qëllimin kryesor të tyre: eleminimin fizik të njeriut, reputacionit të të cilit nuk kishin se ç’t’i bënin tjetër. Sajuan atë togë pushkatimi konglomerat i papërsëritshëm, në radhët e së cilës bënin pjesë dy milicë të fashizmit, dy bashkëfshatarë të viktimës dhe tre partizanë nga Grupi i Pezës.
Se ç’përfaqësonin këta vrasës të përbashkët; partizanë, milicë e hasëm, vetëm monstruoziteti i një regjimi komunist, që ende pa ardhur në pushtet e kishte konturuar fizionominë e tij makabre, (tejet të pangopëshme me gjak shqiptarësh tek zbrazi mbi të shtatë plumba) mund ta shpjegonte. Po gjithsesi të tromaksur nga vërtetësia e fakteve për pesëdhjetë vite me radhë, duke filluar që pas hedhjes së bombës në ambasadën sovjetike më 1952, nuk bënë asgjë tjetër, vetëm se hodhën baltë e baltë pambarim mbi figurën e ndritur të klerikut të nderuar Selim Brahja, teksa mbi pjestarët e familjes së tij, persekucioni qe i pandalshëm.
Ndërkohë që figura monumentale e Selim Brahjes, vetëm në vitet e pluralizmit politik zuri vendin që i takonte në piedestalin e atdhetarizmit shqiptar. Degëzimi që del nga rruga nacionale e Elbasanit, përzgjatimi i të cilit të shpie në qendër të fshatit Sauk mban emrin e klerikut dhe atdhetarit të shquar Selim Brahja.
Autor: Bedri Alimehmeti