Bamirësia ndaj qenit

Nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcillet se i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë:

“Një njeri, ndërsa ishte duke udhëtuar e kaploi një etje e madhe.

Gjeti një pus, zbriti në të dhe piu ujë. Kur doli, pa një qen me gjuhë të nxjerrë jashtë, i cili po e lëpinte baltën nga etja. Ky njeri tha më vete: “Këtë qen e paska kapluar etja sikur që më kishte kapluar mua më parë. Atëherë, zbriti në pus, mbushi këpucën e tij me ujë, pastaj e kapi atë me gojë dhe i dha qenit të pijë. Prandaj, Allahu e falënderoi për këtë dhe e fali atë.” (Shokët e të Dërguarit) Thanë: “O i Dërguar i Allahut, a edhe për kafshë kemi shpërblim?!” Tha: “Në gjithçka që ka mëlçi të lagur ka shpërblim.”[1]

 

 

Dobitë e hadithit

1. Nxitja për bamirësi ndaj kafshëve të cilat nuk jemi të urdhëruar t’i vrasim.

2. Lejimi i udhëtimit vetëm dhe pa marrë ushqim me vete, në qoftë se nuk ka frikë nga armiku apo shkatërrimi.

3. Mëshira e gjerë e Allahut, ku për një punë të vogël Allahu dhuron shpërblime madhështore.

4. Lejimi i hapjes së puseve në rrugë publike.

5. Lejimi i bamirësisë ndaj idhujtarëve.

 

Përktheu: Jusuf Kastrati

Marrë nga libri: "60 kissah rauaha En-Nebijju s.a.v.s. ue as'habuhu" - Muhammed ibn Hamid.

 



[1] Hadithin e transmetojnë Buhariu (2363) dhe Muslimi (2244).



Revista Shembulli