Nga Abdullah ibën Omeri – radijallahu anhuma - përcillet se Pejgamberi - sal-lallahu alejhi ve sel-lem - ka thënë: "Të mos e çojë njeriu njeriun nga vendi ku është ulur, e të ulet vetë në të, por zgjerohuni."
Hadithin e shënojnë Buhariu dhe Muslimi. Ky është termi i Muslimit
Domethënia e hadithit
Pejgamberi - sal-lallahu alejhi ve sel-lem - udhëzoi ummetin në sjelljet më të larta. Prej tyre janë edhe rregullat e uljes. Askujt nuk i lejohet ta çojë tjetrin nga vendi ku është ulur e të ulet vetë në të, sepse ka mundësi që në zemrën e tij të hyjë mendjemadhësia dhe në anën tjetër të ndihet i përçmuar ai i cili ngrihet nga vendi i vet. Kjo, pos tjerash, është cenim i të drejtës së tjetrit.
Mirëpo, nëse ndokush dëshiron të ulet në një vend të ngjeshur me njerëz, atëherë duhet që ata të zgjerohen në mënyrë që t'ia bëjnë një vend atij që të mund të ulet me ta. Në qoftë se nuk e bëjnë një gjë të tillë duhet t'u thotë atyre zgjerohuni, ashtu që të mund të gjejë një vend për tu ulur.
Dobitë e hadithit
1- Ai që ulet më parë në një vend të përgjithshëm ka më shumë të drejtë në të.
2- Askujt nuk i lejohet ta çojë tjetrin nga vendi e të ulet në vendin e tij.
3- Feja islame nxit në respektimin e ndjenjave.
Përktheu: Jusuf Kastrati
Marrë nga libri “Hadithi”, Instituti i Mësimit të Gjuhës Arabe, Universiteti “Imam” - Riad