Xhunejd Muhamed ibën Ebul-Kasim el-Khazzaz el-Bagdadi i njohur edhe si Xhunejd Bagdadi u lind në Bagdad (830-910 pas Krishtit). Ai ishte një nga dijetarët e hershëm persian dhe mësuesit e Islamit. Historia e mëposhtme i atribuohet atij në lidhje me një shpjegim për thelbin e Haxhit.
Njëherë Xhunejd Bagdadi takoi një njeri, i cili ishte kthyer nga Haxhi. Pasi e vërejti atë për një kohë, e pyeti: "A keni qenë në haxh?"
Haxhiu: Po, unë sapo jam kthyer nga haxhi.
Xhunejdi: Kur u larguat nga shtëpia me qëllimin e Haxhit, a u penduat nga të gjitha mëkatet tuaja?
Haxhiu: Nuk e kam menduar këtë.
Xhunejdi: Në këtë rast, ju nuk jeni nisur për në haxh.
Xhunejdi: Po në lidhje me udhëtimin tuaj, gjatë pushimeve dhe ndalesave? Kur përshkonit distancat, a keni lëvizur mendërisht dhe shpirtërisht më afër Allahut?
Haxhiu: Isha shumë i zënë me detaje të tjera të udhëtimit dhe nuk kam reflektuar mbi atë.
Xhunejdi: Atëherë ju nuk paskeni udhëtuar me të vërtetë për në shtëpinë e Allahut.
Xhunejdi: Kur keni veshur ihramin dhe keni zëvendësuar rrobat e zakonshme, a nuk keni menduar që të flakni shprehitë dhe qëndrimet tuaja të padëshirueshme?
Haxhiu: Kjo nuk më ka shkuar në mendje.
Xhunejdi: Mjerisht! Ju nuk e paskeni veshur ihramin.
Xhunejdi: A e keni përjetuar praninë e Allahut gjatë kohës që ishit duke qëndruar në Arafat sikur që Ai të jetë përballë jush?
Haxhiu: Jo, unë nuk e kam patur atë ndjenjë.
Xhunejdi: Kjo do të thotë që nuk e keni arritur as edhe Arafatin.
Xhunejdi: Kur shkuat në Muzdelife, a menduat kur i mblodhët guralecët ashtu siç i mblodhët dëshirat dhe aspiratat tuaja të kësaj bote kështu që tani mund t’i hidhni ato?
Haxhiu: Unë isha duke menduar vetëm për mbledhjen e guralecëve.
Xhunejdi: Pra, ju nuk paskeni qenë as në Muzdelife.
Xhunejdi: Po në lidhje me hedhjen e gurëve te vendi i hedhjes së gurëve? Gjatë kryerjes së këtij riti, a u zotuat që të shmangni joshjet e këqija dhe t’i braktisni veprat tuaja të liga?
Haxhiu: As kjo nuk më ka ndodhur.
Xhunejdi: Fatkeqësisht, nuk e paskeni kryer as edhe këtë rit të hedhjes së gurëve.
Xhunejdi: Po për Tavafin tuaj? A u ndjetë të zhytur plotësisht nga një tërheqje e zjarrtë drejt Madhështisë së përsosur të Allahut gjatë Tavafit?
Haxhiu: Jo, kam numëruar vetëm numrin e Tavafit që kisha bërë.
Xhunejdi: Kjo është sikur që nuk e keni kryer as Tavafin.
Xhunejdi: Ndoshta keni kuptuar shpirtin, urtësinë dhe qëllimin e vrapimit midis kodrave Safa edhe Merva. A u kënaqët me luftën e nënës Haxhere? A u kënaqët me besimin dhe përkushtimit e saj ndaj Allahut?
Haxhiu: Jo me të vërtetë.
Xhunejdi: Me fjalë të tjera, nuk paskeni kryer as Sajin (vrapimi ndërmjet Safasë dhe Mervasë).
Xhunejdi: Më trego për ritin e sakrificës. Gjersa therje kafshën, a sakrifikove për dashurinë e Allahut? Dhe a kujtuat Profetin Ibrahim dhe përkushtimin e tij të palëkundur ndaj Allahut?
Haxhiu: Kjo nuk më ka shkuar në mendje.
Xhunejdi: Në këtë rast, nuk e paskeni ofruar as flijimin.
Xhunejdi: Allahu është Mëshirues! Ju duhet të shkoni përsëri vitin e ardhshëm dhe do të duhet ta kryeni haxhin përsëri me korrektësi.
Duhet të ripërmbushni përvojat (përjetimet) e Ibrahimit dhe të mendoni shembullin e tij. Mos harroni të reflektoni në ajetin e Kur'anit që thotë: “Dhe të Ibrahimit, që gjithnjë i plotësoi obligimet” (53:37)
Islamcity.com
Përshtati nga anglishtja: Fitim NUHIU