
“Një ditë derisa qaja për mëkatet e shumta dhe të mirat e pakta që i kam bërë nga syri më doli një pikë loti dhe më tha: “Ç’është me ty o rob i Allahut?”
I thashë: “Kush je ti?”
Më tha: “Unë jam një pikë loti.”
I thashë: “Ç’të nxori nga syri?”
Më tha: “Nxehtësia e zemrës sate.”
I thashë i habitur: “Nxehtësia e zemrës sime?! Po kush ndezi zjarr në zemrën time?!”
Më tha: “Mëkatet.”
I thashë: “A po ndikuakan mëkatet në nxehjen e zemrës?”
Më tha: “Po, gjithsesi. A nuk e ke dëgjuar thënien e të Dërguarit të Allahut, Muhammedit, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të: “O Allahu im! Ma pastro zemrën me ujë, borë dhe akull!”?[1] Sa herë që robi bën gjynah, në zemër ndizet një zjarr, të cilin nuk mund ta fikë asgjë përveç ujit të ftohtë dhe borës.
I thashë: “Të vërtetën e the! Unë, vërtet ndiej pikëllim dhe ngushtim të zemrës, e cila, mendoj që vjen nga ndezja e zemrës për shkak të gjynaheve të shumta.”
Më tha: “Po, mëkati lë gjurmë të këqija tek personi që e vepron atë. Andaj, kthehu tek Allahu, o rob i Allahut!”
I thashë: “Dua të të pyes diçka.”
Më tha: “Urdhëro!”
I thashë: “Unë ndiej vrazhdësi në zemrën time, andaj si arrite të dalësh nga ajo?”
Më tha: “Kjo është nga natyrshmëria, o rob i Allahut. Zemrat e njerëzve në këtë kohë janë ngurtësuar, kështu që rrallë mund ta gjesh ndonjë zemër të pastër, e cila vazhdimisht është e lidhur me Allahun e Lartëmadhërishëm.”
I thashë: “Cili është shkaku, o loti im?”
Më tha: “Dashuria e kësaj bote dhe lidhja me të... Të gjithë njerëzit vrapojnë pas saj, përveç atij që e ka ruajtur Allahu. Kjo botë është sikurse gjarpri, i cili na befason me njomësinë e tij dhe na vret me helmin e tij. Kurse, njerëzit argëtohen me njomësinë e tij dhe nuk e shikojnë helmin e tij vdekjeprurës.
I thashë: “Ç’dëshiron të thuash me helm?”
Më tha: “Helmi janë gjynahet. Gjynahet janë helmi i zemrave, të cilin duhet ta largojmë patjetër, përndryshe do të vdesë zemra.”
I thashë: “Po si t’i pastrojmë zemrat tona nga ky helm?”
Më tha: Për ata që, kur bëjnë vepra të turpshme ose i bëjnë dëm vetes, e kujtojnë Allahun, i kërkojnë falje për gjynahet e tyre - e kush i fal gjynahet përveç Allahut? - dhe nuk ngulmojnë me vetëdije në gabimet që kanë bërë, pra, për këta do të ketë si shpërblim falje madhështore (të gjynaheve) nga ana e Zotit të tyre dhe kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj dhe ku do të qëndrojnë përherë. Sa shpërblim i bukur është ky për ata që punojnë (vepra të bukura)! (Kur’an 3:135-136)
Përktheu: Jusuf Kastrati – Shembulli.com
Marrë nga libri: “El-Esalijb et-terbevijje fil-Kur’ani ues-sunneh”, fq. 157-159.