Për agjëruesin (23)

Ajet Kuranor:

Allahu i Madhërishëm thotë:

Nxitoni drejt faljes së gjynaheve nga Zoti juaj dhe Xhenetit, hapësira e të cilit është sa qiejt e Toka dhe që është përgatitur për të devotshmit, të cilët japin lëmoshë edhe kur janë në mirëqenie, edhe kur janë në vështirësi, e mposhtin zemërimin dhe ua falin fajet njerëzve. Allahu i do bamirësit. [Kuran 3:133,134]

Hadith

I Dërguari i Allahut, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Zilia është e lejuar vetëm në dy raste: Nëse një njeriu Allahu ia mëson Kuranin, ndërsa ai e lexon atë natë e ditë dhe kur e dëgjon fqinji i tij duke lexuar thotë: Ah sikur t’më jepej edhe mua ajo që i është dhënë filanit, të veproja sikurse ai. Po ashtu, nëse një njeriu Allahu i jep pasuri, ndërsa ai e harxhon atë në të vërtetën (në gjëra që e kënaqin Zotin) e ndonjëri thotë: Ah sikur t’më jepej edhe mua ajo që i është dhënë filanit, të veproja sikurse ai.” [Këtë hadith e shënon Buhariu]

Gjurmë:

El-Haseni thoshte: “Nëse ndokush përpiqet të garojë me ty në çështjet e dunjasë, garo me të në çështjet e ahiretit.”

Shkëputur nga libri: “Jeumijat saimeh” (Hakibetu saimat) – të autorëve dr. Adil Esh-Shiddi dhe dr. Ahmed El-Mezjed

Përktheu: Jusuf H. Kastrati – Shembulli.com


Revista Shembulli