
Nëna e saj nuk ngutej që menjëherë ta kuptonte se çfarë i kishte ndodhur vajzës së saj në shkollë. E dinte se Amina, pasi të qetësohet, do t’ia tregonte të gjitha. Kështu vepronte çdo herë. Askush nuk mund ta këshillonte atë më mirë se nëna e saj, këtë Amina e dinte shumë mirë. Por, pak kohë që ta marrë veten dhe të mendojë në qetësi i nevojitet çdo kujt. Gjatë drekës ishte gjithçka njësoj, si më herët, ndërsa pas drekës Amina i ndihmoi nënës që t’i mblidhte enët. Kjo ishte një mundësi e mirë që ajo t’i tregonte nënës hallin e saj.
“Sot kemi marrë rezultatet e testit që punuam javën e kaluar”, filloi bisedën Amina. “Nuk isha unë e vetmja që kisha marrë notë aq të ulët, por mësuesja theksoi se unë e kisha befasuar me këtë rezultat të dobët.” Nëna me kujdes e dëgjonte Aminën dhe nuk dëshironte ta ndërpriste. Në të vërtetë, dëshironte t’i dëgjonte atë çfarë i kishte ndodhur fëmijës së saj. “Nuk më vjen keq vetëm se e kam punuar dobët testin, por, edhe për atë se Sara ka marrë notë më të mirë se unë. Notat e mija janë gjithmonë më të mira, unë gjithmonë mësoj më shumë, po kësaj radhe…”, i ankohej Amina nënës. Nënën e saj e brengosi më tepër xhelozia që kishte Amina ndaj shoqes së saj.
“Nuk bën të flasësh kështu e dashura ime. Ti e di mirë se në zemrën e besimtarit nuk duhet të ketë vend për zili dhe xhelozi. Muslimani, vëllait dhe motrës së vet duhet t’ia dëshirojë atë që dëshiron për vete. Nëse i gëzohesh suksesit tënd, duhet t’i gëzohesh edhe sukseseve të muslimanëve tjerë, bija ime.” “Nënë, unë nuk jam xheloze, vetëm se më vjen keq pse edhe unë nuk e kam arritur ta bëj testin sikurse ajo”, u përgjigj Amina me sy të përlotur.
“Eja e dashura ime!”, u ul nëna dhe e mori Aminën në prehër. “Fshij lotët e dashura ime. SubhanAllah, a mos vallë ti je e pakënaqur me caktimin e Allahut?! Kjo që këtë herë rezultati nuk ishte i mirë, nuk do të thotë se duhet të dëshpërohesh. Kjo duhet të të shtyjë më shumë që të punosh edhe më tepër.” “Por, nëna ime, unë nuk po mund ta kuptoj se si ka mundësi që aq dobët ta punoj testin pasi që kisha mësuar aq shumë, madje isha e sigurt që të gjitha i kam përfunduar mirë!”. “Bija ime, Allahu i Lartësuar i sprovon robërit e Tij me sprova të ndryshme që të shohë se në çfarë grade është durimi i tyre. Për ndonjë të mirë që të ndodh duhet ta falënderosh Allahun, e kur të ndodh diç që ti mendon se nuk është e mirë duhet të bësh durim e pastaj do të shpërblehesh edhe për këtë. Ne nuk guxojmë të lejojmë që dështimi ynë të na dëshpërojë. Kërkimi i diturisë për muslimanët është detyrë. Kjo nuk është çështje e zgjedhjes, që dikush të zgjedh të mësojë e dikush jo.
E para që Allahu i ka shpallur të Dërguarit, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ishte: “Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë).”(Alak, 1). Pra, përparimi i vazhdueshëm në fusha të ndryshme të diturisë është obligim i çdo muslimani, por vetëm me emrin e Allahut të Lartësuar, e jo që të më lavdërojë mësuesja para klasës apo që të marrë notë më të madhe se shoqja.” Amina e dëgjonte me vëmendje nënën e vet. “Që të mësosh diçka, duhet të kesh dëshirë ta bësh atë. Pastaj, duhet të përpiqesh ta kuptosh atë që e mëson. Dikush bën skica që të kuptojë më mirë, dikush nënvizon pjesët kryesore të mësimit, dikush bën rezyme të gjithë asaj që ka mësuar, por ka edhe të atillë që përdorin edhe metoda tjera. Dikujt i nevojitet kohë më e shkurtë për të mësuar e dikujt më e gjatë. Të gjitha këto varen nga personi. Fakti që suksesi yt ka ngecur kësaj radhe nuk do të thotë se nuk ke mësuar, vetëm se duhet ta përdorësh edhe ndonjë metodë tjetër të mësimit. Por, para së gjithash, duhesh të kesh nijetin e pastër, të jesh e vetëdijshme se je duke mësuar për Allahun, që ajo që dëshiron ta mësosh të të shërbejë ty edhe muslimanëve. Pastaj, thuaj “Me emrin e Allahut (Bismilah)”, dhe me lejen e Zotit, rezultati do të jetë i bereqetshëm. Aty ku nuk ka lidhje të fortë mes Allahut të Lartësuar dhe robit nuk ka as sukses. “Pas kësaj bisede, Amina e luti Allahun që t’ia pastrojë nijetin dhe që të mësojë vetëm në emër të Tij.
Ndërsa, tash dëshiroj të të pyes diçka: “A e ke pastruar ti nijetin tënd dhe në emër të kujt mëson?!”
Përktheu: Arsim SYLA