Ka raste kur njeriu mashtrohet me pasuri dhe e mohon Allahun. Kundroje ngjarjen e Asha ibn Kajsit. Ai ishte poet i vjetër. U nis nga Jemame, për tek i Dërguari ﷺ që ta pranonte Islamin. Kaloi fusha e male i mallëngjyer për ta takuar atë. Ndërsa ecte, recitonte vargje që kishte thurur si lavde për Profetin ﷺ:
A nuk të pushuan sytë sikurse e godet hiri natën?
E ngele pa gjumë sikurse ngel i thumbuari.
O ti që më pyet nga ia kanë mësyrë,
Ata (sytë) në Jethrib (Medinë) kanë takim.
Jam betuar se nuk do t’i mëshirojë lodhja e as ecja
Derisa ta shohin të Dërguarin,
Të Dërguarin që sheh atë që nuk e shihni.
Ndërkaq, emri i ka depërtuar në lugina e në Nexhd.
Shoh se nuk paske dëgjuar për testamentet e Profetit,
Profetit të Allahut ditën kur porositi dhe dëshmoi,
Nëse ti nuk shkon i furnizuar me devotshmëri
Kurse pas vdekjes takon ata që janë furnizuar,
Do të pendohesh ngaqë nuk ke qenë si ai,
Si dhe ngaqë nuk je përgatitur siç është përgatitur ai.
Kur iu afrua Medinës, i dolën përpara disa idhujtarë dhe e pyetën për punën e tij. Iu tha se dëshironte të takohej me Profetin ﷺ që ta pranonte Islamin.
Idhujtarët u frikësuan nga kjo gjë sepse po qe se ky poet e pranonte Islamin, atëherë Islami do të forcohej shumë. Një poet i vetëm musliman, i quajtur Hasan ibn Thabit, ua kishte mërzitur jetën me poezitë e tij për Islamin. Paramendo ç’do të ndodhte po ta pranonte Islamin poeti i arabëve, Asha ibn Kajsi?!
-O Asha! Feja jote dhe e prindërve të tu është më e mirë për ty, - i thanë.
-Jo, feja e tij është më e mirë, - iu përgjigj.
-O Asha! Ai e ndalon lidhjen jashtëmartesore me femra, - vazhduan.
-Unë jam plak, ndaj s'kam nevojë për femra, - ua ktheu.
-Ai e ndalon alkoolin, - këmbëngulën.
-Ajo ta humb mendjen, s'kam nevojë për të, - ua priti.
Meqë panë se ishte i vendosur për ta pranuar Islamin, i thanë: “Po t'i japim njëqind deve, vetëm kthehu te familja jote dhe braktise Islamin.”
-Kur është fjala te pasuria, e pranoj ofertën, - u tha.
Ia mblodhën devetë, andaj vendosi të kthehej te populli i vet si jobesimtar. Kur ia grumbulluan devetë, ndodhi një e papritur, të cilën s’e kishte menduar fare. Pa arritur në shtëpi, ra nga deveja, e theu qafën dhe vdiq. Allahu i Lartësuar thotë:
﴾أُولَئِكَ الَّذِينَ طَبَعَ اللَّهُ عَلَى قُلُوبِهِمْ وَسَمْعِهِمْ وَأَبْصَارِهِمْ وَأُولَئِكَ هُمُ الْغَافِلُونَ * لَا جَرَمَ أَنَّهُمْ فِي الْآخِرَةِ هُمُ الْخَاسِرُونَ﴿
“Këta janë ata të cilëve Allahu ua ka vulosur zemrat, të dëgjuarit dhe të parët; pikërisht këta janë të shkujdesurit. S’ka dyshim se në botën tjetër, ata do të jenë nga të humburit.” (En Nahl, 108-109)
Dr. Muhamed El Arifi
Përktheu: Dr. Sedat Islami