Muhamedi sal-lallahu alejhi ve selem ka thënë: “Ky është muaji që ngrihen veprat te Zoti i botëve, kurse unë dëshiroj që të më ngrihen veprat duke qenë agjërueshëm". (Shënon Nesaiu, Albani e vlerëson hasen).
Studenti i aftë është vazhdimisht i përgatitur dhe gjatë tërë vitit akademik ai tregon interesim dhe gatishmëri. Realiteti është që edhe ata student që vazhdimisht janë të përgatitur nuk janë të njësoj dhe të barabartë dhe po të njëjtin sukses nuk mund ta gëzojnë, e mos të flasim për ata që aspak nuk përgatiten dhe nuk shprehin interesim.
Tani ne jemi në muajin Shaban e kemi stacionin e fundit për parapërgatitje të muajit Ramazan. Duhet shpejtuar në vepra të mira dhe duke bërë garë të sinqertë për të fituar Xhenetin e Allahut të Lartësuar.
“Nxitoni drejt faljes së gjynaheve nga Zoti juaj dhe Xhenetit, hapësira e të cilit është sa qiejt e Toka dhe që është përgatitur për të devotshmit,të cilët japin lëmoshë edhe kur janë në mirëqenie, edhe kur janë në vështirësi, e mposhtin zemërimin dhe ua falin fajet njerëzve. Allahu i do bamirësit.” (Aliimran, 133-134)
“Për këtë, le të përpiqen ata që përpiqen.” (Mutaf-fin, 26)
Të nderuar lexues!
Duhet të ndalemi dhe të mendojmë se si t’i shfrytëzojmë këto ditë të çmuara dhe shumë të shtrenjta. Duhet hartuar një plan veprimi, projekt parapërgatitor për muajin Ramazan. Nuk duhet lejuar që ditët të kalojnë si ditët tjera normale.
Atëherë së bashku të planifikojmë, ne veten tonë ta shtojmë nivelin e vetëdijes për të shfrytëzuar kohën në maksimum, me të vetmin qëllim të përfitojmë sevape të shumta. Atëherë ke parasysh këto udhëzime:
1. Kur je i lajmëruar për vizitën e ndonjë mysafiri në shtëpinë tënde, dhe në shtëpi ke papastërti, atëherë: A e zbukuron shtëpinë fillimisht apo e pastron? Apo fillimisht ke për qëllim pastrimin?
Atëherë fillo ti kryesh farzet me përpikëri, qëndro në kufijtë e Allahut të Lartësuar. Bëji llogari vetes gjatë 11 muajve. Mos lejo hyrjen në Ramazan me mëkatet e bëra por pendohu te Allahu. Pastro zemrën nga epshet e dyshimet. Pendohu te Allahu për gjynahet e syrit , të duarve, veshëve. Kujdes mos të mashtroje shejtani që të largohesh nga pendimi.
2. Asnjë punë mos e fillo, vetëm se me nijet të mirë, kujto se punët pranohen vetëm kur i plotësojnë dy standarde, sinqeriteti dhe përputhja me Sunetin.
3. Krasite veten dhe bëhu njeri i devotshëm, se Ramazani është shkollë për të devotshmit.
4. Shpejto që t’i përmirësosh lidhjet familjare. Fillo të afrohesh me të afërmit.
5. Nuk ka dhunti ma të madhe se sa ta kesh zemrën e pastër nga urrejtja, xhelozia, smira, mendjemadhësia, etj..
6. Shumë njerëz e kalojnë kohën në internet në gjëra jo të dobishme, tani kujdesu që kohën mos ta grabis shejtani.
7. Kujdesu ti kompensosh ditët e pa agjëruara me arsye.
8. Fillo që nga muaji Shaban leximin e Kuranit me rregull.
9. Fillo nga muaji Shaban faljen e namazeve nafile.
10. Mësoje veten me dua, mëso lutje nga Suneti i Muhamedit sal-lallahu alejhi ve selem.
11. Kalite veten që të qëndrosh ne xhami ma shumë të kalosh kohën në shtëpinë e Allahut të Lartësuar.
12. Ushtroje veten në agjërim që nga muaji Shaban.
13. Fillo që ti ushqesh të varfëritë, nevojtarët.
14. Për çdo ditë jep sadaka që pastaj në Ramazan të jesh i mësuar që për çdo ditë të japësh sadaka.
15. Pakëso sasinë e ushqimit, fillo që ta rregullosh gjumin duke kalit veten që namazin e natës ta bësh me lehtësi.
16. Nëse nuk mundesh ta bësh “umren” atëherë kujdesu të përkujtosh Allahun e Lartësuar pas namazit të sabahut deri pas lindjes së diellit dhe më pas fali dy rekate, do ta kesh shpërblimin e haxhit dhe umres së plotë. Kështu na tregoi Muhamei sal-lallahu alejhi ve selem.
17. Mësoje veten që namazin ta bësh me 1000 ajete, të falesh më gjatë.
18. Mundohu të fitosh sevape duke përcjellë një xhenaze, dhe prezantimi gjatë varrimit.
19. Për duhanpirësit është një rast shumë i volitshëm që të përgatiten për lënien e duhanit.
20. Korrigjo dhe përsërit atë që ke nxënë më herët nga Kurani.
Të nderuar lexues!
Lus Allahun e Lartësuar të më ndihmoj në përkujtim, falënderim dhe ibadet të mirë.
Allahu im më jep sinqeritet në fjalë dhe vepra të jashtme dhe brendshme.
Përgatiti: Ulvi FEJZULLAHU.