Pasuria e humbur

 

Transmetohet se një njeri, një natë, erdhi tek imam Ebu Hanifja dhe i tha atij: “O imam! Para disa vitesh kam futur ca monedha nën tokë, porse kam harruar vendin. A mund të më ndihmosh t’i gjej ato?”

Imami i tha atij: “Kjo nuk është punë e dijetarëve të fesë, që të mund të të gjej ndonjë zgjidhje.” Mirëpo, pasi u mendua një çast, i tha atij: “Shko dhe falu deri në mëngjes, do të të kujtohet vendi, insha-Allah”.

Njeriu shkoi në shtëpi dhe filloi të falë namaz, por papritmas, pas një kohe të shkurtër, duke qenë në namaz, iu kujtua vendi ku i kishte fshehur monedhat. Shkoi me vrap tek ai vend dhe i gjeti monedhat. Në mëngjes, njeriu shkoi tek imami, Ebu Hanifja, i tregoi se e kishte gjetur pasurinë, e falënderoi atë dhe e pyeti se si e diti se në atë mënyrë do t’i kujtohej vendi ku kishte fshehur pasurinë.

Imami ia ktheu atij: “Unë e dija që shejtani nuk do të të lë të falesh deri në mëngjes, kështu që do të ta kujtojë vendin ku e ke fshehur pasurinë, që të të largojë nga namazi”.

 

Shkëputur nga libri “Kisas latife” i autorit Es-Sadik Ahmed Berijr

Përktheu: Jusuf Kastrati


Revista Shembulli