Shoqëruesi i njeriut pas vdekjes

Transmetohet nga Enes ibën Maliku se i Dërguari i Allahut, Muhammedi, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë:

يتبع الميت ثلاث، فيرجع اثنان ويبقى واحد، يتبعه أهله وماله وعمله، فيرجع أهله وماله ويبقى عمله.

“Të vdekurin e përcjellin tri gjëra; dy kthehen, ndërsa njëra mbetet me të. E përcjellin atë familja, pasuria dhe puna e tij; kthehen familja dhe pasuria, ndërsa me të mbetet puna e tij.”

Hadithin e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.

Të nderuar vllezër!

Pra, njëra nga këto tri gjëra, të cilat e përcjellin njeriun deri në varr, është familja e tij.

Subhan-Allah!

Sa e çuditshme është kjo dunja, sa e poshtër është kjo dunja! Njërëzit që më së shumti i do dhe të duan, familja jote, më të afërmit tu, të fusin në varr dhe të largojnë nga ta!

Pasha Allahun, sikur t’u jepeshin atyre me miliona para, kurrë nuk do të pranonin që trupi yt i vdekur të qëndronte me ta!

Njeriu në këtë dunja duhet ta zgjedh familjen e mirë, pra ta zgjedhë atë grua që i ndihmon atij të bëjë vepra të mira, të cilat e kënaqin Allahun dhe e cila i edukon fëmijët sipas rregullave që i ka caktuar Allahu dhe i Dërguari i Tij.

Pra, njeriu i tillë është i lumtur. Ndërsa, ai njeri, familja e të cilit e pengojnë atë nga adhurimi i Allahut, është vërtetë i humbur.

Allahu thotë në Kur’an:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا لا تُلْهِكُمْ أَمْوَالُكُمْ وَلا أَوْلادُكُمْ عَن ذِكْرِ اللَّهِ وَمَن يَفْعَلْ ذَلِكَ فَأُولَئِكَ هُمُ الْخَاسِرُونَ.

“O besimtarë, mos lejoni që pasuria dhe fëmijët tuaj t’ju largojnë nga të përmendurit e Allahut. Ata që e bëjnë këtë, do të humbin.(El-Munafikunë: 9)

Në një hadith, i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë:

جاء جبريل فقال: يا محمد عش ماشئت فإنك ميت، وأَحْبِبْ مَن شئت فإنك مفارقه، واعمل ماشئت فإنك ملاقيه.

“Më erdhi Xhibrili dhe më tha: ‘O Muhammed! Jeto sa të duash, do të vdesësh, duaje kë të duash, do të ndahesh prej tij, puno çfarë të duash atë do ta gjesh!’”

Hadithin e transmetojnë Ahmedi dhe Hakimi.

Kur të vdesë njeriu, nuk do t’i bëjë më dobi familja e as pasuria e tij, përveç asaj familjeje e cila lutet dhe kërkon falje për të, dhe përveç pasurisë të cilën e shpenzon për hir të Allahut.

Allahu i Lartëmadhërishëm thotë në Kur’an:

يَوْمَ لا يَنفَعُ مَالٌ وَلا بَنُونَ إِلاَّ مَنْ أَتَى اللَّهَ بِقَلْبٍ سَلِيمٍ.

“në Ditën, kur askujt nuk do t’i bëjë dobi as pasuria, as fëmijët, përveç atij që vjen me zemër të pastër tek Allahu!” (Esh-shuara’: 88. 89)

Në një hadith tjetër, i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë:

إذا مات الإنسان انقطع عمله إلا من ثلاث، إلا من صدقة جارية أو علم ينتفع به أو ولد صالح يدعو له.

“Kur të vdesë njeriu, puna e tij ndërpritet, përveçse në tri gjëra: nëse ka lënë lëmoshë të vazhdueshme, dituri prej së cilës kanë dobi njerëzit dhe fëmijë të devotshëm, i cili lutet për të.”

Ndërsa, në një hadith tjetër, i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë:

يقول ابن آدم: مالي مالي، قال: وهل لك يابن آدم من مالك إلا ما أَكَلْتَ فأفنيت أو لبست فأبيلت أو تصدقت فأمضيت، وماسوى ذلك فهو ذاهب وتاركه للناس.

“Biri i Ademit thotë: “pasuria ime”, “pasuria ime”. Mirëpo, a ke pasuri tjetër o bir i Ademit përveç asaj që e ke ngrënë dhe e ke harxhuar, asaj që e ke veshur dhe e ke shterur dhe asaj që e ke dhënë lëmoshë dhe e ke shpenzuar?! Çdo gjë pos këtyre do të shkojë dhe do t’i mbetet njerëzve.”

Njëherë, i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, i pyeti shokët e tij:

أيكم ماله وارثه أحب إليه من ماله؟ قالوا: ما منا إلا ماله أحب إليه من مال وارثه، قال: فإن ماله ماقدّم ومال وارثه ما أخّر.

“Cili prej jush e do pasurinë e trashigimtarëve të vet më shumë se pasurinë e vet?” Ata thanë: “Për çdonjërin nga ne më e dashur është pasuria jonë sesa pasuria e trashigimtarëve tanë.” Atëherë, i Dërguari i Allahut tha: “Vërtet, pasuria e tij është ajo që e ka shpenzuar, ndërsa pasuria e trashigimtarëve të tij është ajo që e ka lënë pas.”

Hadithin e transmeton Buhariu.

Andaj, i mençur është ai njeri që e jep atë pasuri që ia do zemra, në mënyrë që ta fitojë botën e amshueshme.

Ibën Omeri, sa herë që i pëlqente ndonjë gjë shumë e jepte atë në rrugë të Allahut, sepse ai e kishte kuptuar fjalën e Allahut të Lartmadhërishëm, kur thotë:

لَن تَنَالُواْ الْبِرَّ حَتَّى تُنفِقُواْ مِمَّا تُحِبُّونَ وَمَا تُنفِقُواْ مِن شَيْءٍ فَإِنَّ اللَّهَ بِهِ عَلِيمٌ

“Nuk keni për ta arritur përkushtimin e vërtetë, derisa të ndani (lëmoshë) nga ajo (pasuri) që e doni. Çfarëdo që të ndani, Allahu e di mirë atë.” (Al-Imran: 92)

Një mbret i tha Ebu Hazimit, i cili ishte asket i njohur: “Ç’është puna jonë që po e urrejmë vdekjen? Ai tha: “Për shkak se e ke madhëruar dunjanë dhe e ke vendosur pasurinë tënde para syve të tu, andaj nuk dëshiron të ndahesh nga ajo. Por, sikur ta jepje atë (pasurinë) për botën tjetër do të dëshiroje të takoheshe me të.”

Shoqëruesi i tretë, gjegjësisht puna e njeriut asnjëherë nuk do të ndahet nga ai, do të jetë me të në varr, në Ditën kur do të ringjallemi dhe do të dalim para Allahut, të Plotfuqishmit, dhe në bazë të punës njeriut do t’i caktohet vendi i tij në xhennet apo në xhehennem.

Allahu i Lartëmadhërishëm thotë në Kur’an:

مَنْ عَمِلَ صَالِحًا فَلِنَفْسِهِ وَمَنْ أَسَاءَ فَعَلَيْهَا وَمَا رَبُّكَ بِظَلاَّمٍ لِّلْعَبِيدِ

“Kush bën mirë, e bën për dobi të vet, e kush punon keq, punon në dëm të vet. Zoti yt nuk u bën padrejtësi robërve të Tij.” (Fussilet: 46)

Të gjitha bukuritë e kësaj bote do të kthehen dhe asnjëra nga to nuk do të qëndrojë me ty në varr, madje as familja jote.

E vetmja gjë, e cila do të qëndrojë vazhdimisht me ty është puna jote.

Andaj, kujdesu o vëlla dhe ti oj motër për këtë shok, i cili asnjëherë nuk do të ndahet nga ti!

Përpiqu që puna jote të jetë e mirë, në mënyrë që ajo të të shoqërojë në varr, atëherë kur do të ndahesh nga më të dashurit tu!

Disa nga selefët (të parët tanë) kanë thënë: “Puno për këtë dunja aq sa do të qëndrosh në të dhe puno për botën tjetër aq sa do të qëndrosh në të!”

 

Përgatiti: J. Kastrati - Shembulli.com

Bazuar në librin “Ed-dururu el-muntekatu min el-kelimat el-mulkati” të autorit Emijn Esh-Shekaui