- Nuk ka ndëshkim më të madh për robin sesa ngurtësimi i zemrës dhe të qenurit larg All-llahut.
- Zjarri është krijuar për t’i shkrirë zemrat e ngurta.
- Zemrat më të distancuara nga All-llahu janë zemrat e ngurta.- Kur zemra ngurtësohet, syri thahet ( nuk loton ).
- Ngurtësimi i zemrës vjen si pasojë e tejkalimit të normës në katër gjëra:
1.Në të ngrënë dhe në të pirë
2.Në gjumë,
3.Në të folur
4.Dhe përzierje me njerëzit.
- Ashtu siç nuk i bëjnë dobi ushqimi dhe pirja trupit kur është i sëmurë, po kështu edhe kur zemra sëmuret nga lakmia e tekave dhe epsheve, nuk i bën më dobi këshilla.
- Kush dëshiron të ketë zemër të kulluar, le t’i japë përparësi bindjes ndaj All-llahut kundrejt tekave të tij.
- Zemrat e dhëna pas tekave dhe epsheve vetjake, qëndrojnë po aq larg sa ato janë të dhëna pas këtyre tekave.
- Zemrat janë enët e All-llahut në tokë, dhe më e dashura prej tyre te Ai është zemra e butë dhe e kulluar.
- Ata i angazhojnë zemrat e tyre me këtë botë, të cilat po t’i angazhonin me All-llahun dhe botën tjetër, do të jetonin sipas kuptimeve të fjalëve të Tij dhe provave të dëshmuara, duke zbuluar urtësi të fshehta dhe përfitime të këndshme.
- Nëse zemra ushqehet me përkujtime, ujitet me meditime dhe pastrohet nga papastërtitë, do të shohë çudira dhe do të frymëzohet me urtësi.
- Jo çdokush që përpiqet të jetë njohës dhe i urtë, arrin të jetë i tillë, sepse njohësit e vërtetë dhe të urtit realë janë ata që zemrave të tyre i kanë dhënë jetë duke shuar tekat, ndërsa ata që vrasin zemrën për të gjallëruar tekat, njohja dhe urtësia në gjuhët e tyre është e huazuar( nuk buron nga sinqeriteti ).
- Shkatërrimi i zemrës vjen nga shkujdesi ( gafleti ) dhe për shkak se ndihet e siguruar nga ndëshkimi i All-llahut, ndërsa gjallërimi i zemrës bëhet me frikë -respekt dhe përmendje të Zotit.
- Nëse zemra nuk lakmon në sofrat e dynjasë, do të jetë e dhënë pas sofrave të Ahiretit, së bashku me të ftuarit e tjerë, ndërsa n.q.s. jepet mbas sofrave të dynjasë, do i humbasë ato të Ahiretit.
- Përmallimi për takimin me All-llahun është ilaç që e qetëson zemrën nga egërsia e dynjasë.
- Kush e lidh zemrën me Zotin e tij, do të qetësohet dhe rehatohet, ndërsa kush e lë t’i vërtitet nëpër njerëz, do çoroditet dhe stresohet së tepërmi.
- Dashuria për All-llahun nuk hyn në një zemër që është e pushtuar nga dashuria për dynjanë, përveçse aq sa hyn deveja në vrimën e gjilpërës.
- Kur All-llahu e do dikë nga robërit e Tij, e dallon me dashurinë e Tij dhe e frymëzon ta adhurojë Atë. Përmendja me gjuhë dhe bindja me gjymtyrë mbeten preokupimi i tij.
- Zemra sëmuret siç sëmuret trupi dhe shërimi i saj bëhet nëpërmjet pendimit dhe dietës parandaluese. Ajo bëhet e ndyrë ashtu siç bëhet e ndyrë pasqyra, dhe pastrimi i saj bëhet me përmendjen e Zotit. Ajo zhvishet ( nga të mirat ) ashtu siç zhvishet trupi nga rrobat dhe veshja, stolisja e saj është devotshmëria. Zemra ndjen uri dhe etje ashtu siç ndjen trupi, dhe ushqimi i saj është njohja e All-llahut, dashuria për Të, mbështetja tek Ai, pendimi dhe bindja.
- Kujdes! Ruaju nga shkujdesi ndaj All-llahut, i Cili jetës tënde i ka vënë afat, ditëve dhe frymëmarrjeve të tua u ka vënë numër të caktuar, Ai nuk ka nevojë për askënd dhe asgjë, ndërsa ti ke domosdoshmërisht nevojë për Të.
- Ai që heq dorë nga mbështetja te vetja në kërkimin e kësaj bote, të pozitës, apo shpëtimit nga armiku i tij duke iu mbështetur All-llahut, duke ia besuar dhe dorëzuar çështjen Atij, zgjedhjes më të mirë prej Tij dhe kënaqet me atë që All-llahu i jep, do të shpëtojë nga mërzitë, brengat dhe pikëllimet. Ndërsa ai që këmbëngul të mbështetet vetëm te vetja e tij, do të bjerë në vështirësi, lodhje, mundime, gjendje të keqe, nuk shijon jetë të qetë dhe zemra e tij nuk ndien gëzim, punët nuk i ka të mira, nuk ka shpresa të shëndosha dhe as rehati të qëndrueshme. All-llahu ua ka lehtësuar njerëzve rrugën për tek Ai, por u ka fshehur të ardhmen nëpërmjet caktimit të Tij, ndaj kush kënaqet me fatin e tij, i dorëzohet zgjedhjes së Zotit dhe i bindet vendimit të Tij, e largon atë perde duke e qetësuar zemrën tek Zoti i tij.
- Ai që i mbështetet All-llahut, nuk i lutet dikujt tjetër vec Tij, nuk e kundërshton All-llahun dhe nuk tregohet i rezervuar ( në lutje ) ndaj Tij.
- Kush merret me veten e tij, nuk ka kohë të merret me të tjerët dhe kush i përkushtohet Zotit të tij, nuk ka shumë kohë të merret me veten e tij.
- Sinqeriteti është dicka që engjëlli nuk e di, që ai ta shkruajë, armiku i tij nuk e njeh, që ta shkatërrojë dhe as nuk mahnitet me të vetë personi që ta zhvlerësojë.
- Pranimi ( të kënaquarit me kaderin ) është qetësimi i zemrës me rrjedhën e caktimeve dhe vendimeve të Zotit.
- Njerëzit i dorëzohen dynjasë në varësi të preokupimeve që kanë për të.
- Zemra sillet në gjashtë sfera, nuk ka të shtatë. Tre janë sfera të larta dhe tre janë të ulëta. Sferat e ulëta janë:
1.Dynjaja që i stoliset
2.Vetvetja që i pëshpërit
3.Dhe armiku (shejtani ) që i shkakton vesvese.
Këto janë sferat e ulëta nëpër të cilat qarkullojnë shpirtat. Ndërsa sferat e larta janë:
1.Dituria që ia qartëson çështjet,
2.Arsyeja e shëndoshë që e udhëheq tek e drejta
3.dhe i Adhuruari të cilit ia kushton ibadetin
Zemrat udhëtojnë nëpër këto sfera.
- Ndjekja e qëllimeve dhe shpresa për një jetë të gjatë, është burimi i çdo shthurjeje. Kjo sepse ndjekja dhe plotësimi i qëllimeve e verbëron njeriun nga njohja e të vërtetës dhe nga dëshira për të arritur atë, kurse shpresa për një jetë të gjatë e bën atë të harrojë Ahiretin dhe e shmang nga përgatitja për të.
- Robi nuk mund ta shijojë aromën e çiltërsisë nëse i bën qejfin vetes ( në gabime ) apo u bën qejfin të tjerëve ( kundrejt së vërtetës ).
- Nëse All-llahu ia do të mirën robit të Tij, e bën atë që ta pranojë gjynahun e tij dhe të mos merret me gjynahet e të tjerëve. E bën të jetë bujar me atë që posedon dhe moslakmues ( zahid )në atë që posedojnë të tjerët dhe e bën të jetë i durureshëm ndaj lëndimeve që has. Ndërsa nëse All-llahu ia do të keqen robit të Tij, ia përmbys këto parime.
- Ambicia dhe synimi i lartë e bëjnë njeriun të ketë lidhje me tri gjëra:
1.Njohjen e ndonjë cilësie të përsosur ( të All-llahut ), ku nëpërmjet njohjes së saj, atij i shtohet më shumë dashuria për Të.
2.Nxjerrja në pah e një mirësie, duke bërë që t’ia shtojë falënderimin dhe bindjen.
3.Përkujtimi i ndonjë gjynahu të bërë, i cili ia shton pendimin dhe frikën.
Nëse ambicia dhe synimi i njeriut lidhen me diçka tjetër përveç këtyre, atëherë do të endet nëpër luginat e vesveseve dhe iluzioneve.
- Kush dashurohet pas dynjasë, ajo e shfaq veten shumë të vlefshme tek ai, ndaj e shndërron atë në shërbëtor dhe rob të nënshtruar ndaj saj.
- Ndërsa kush ia kthen shpinën dynjasë, ajo sheh vlerat e tij, dhe i vihet atij në shërbim e nënshtruar.
- Njeriu e përfundon udhëtimin e tij dhe arrin aty ku dëshiron, duke iu përmbajtur rrugës së vërtetë, si dhe duke shfrytëzuar një pjesë të natës për vazhdimin e udhëtimit, por nëse udhëtari i shmanget rrugës dhe fle të gjithë natën, si dhe kur ai do të arrijë qëllimin e tij?!
Nxjerrur nga libri El Feuaid - Ibn Kajim El Xheuzije