Dëmet e shirkut

Shirku[1] është padrejtësia më e rëndë. Allahu i Madhërishëm, në Kur’an, thotë: “Pa dyshim, idhujtaria është një padrejtësi shumë e madhe”. (Lukman 13)

Atë që vdes duke i bërë Zotit shirk nuk do ta përfshijë mëshira e Allahut. I Lartësuari thotë në Kur’an: Vërtet, Allahu nuk fal që të adhurohet dikush apo diçka tjetër veç Atij, por gjynahet e tjera më të vogla ia fal kujt të dojë. Kushdo që i bën shok Allahut (në adhurim), ka bërë gjynah të tmerrshëm. (En-Nisa 48)

Atij që vdes duke i bërë Allahut shirk, Allahu do t’ia ndalojë Xhenetin përgjithmonë. I Madhërishmi thotë në Kur’an: Sigurisht, atij që adhuron tjetërkënd përveç Allahut, Allahu do t’ia ndalojë Xhenetin dhe strehim i tij do të jetë Zjarri. Për keqbërësit nuk ka ndihmës. (El-Maide 72)

Mushrikët[2] (idhujtarët) janë të papastër dhe u ndalohet hyrja në Xhaminë e Shenjtë (në Qabe). Allahu i Lartësuar, në Kur’an, thotë: O besimtarë! Në të vërtetë, idhujtarët janë të papastër (për shkak të besimit të kotë), prandaj të mos i afrohen më Xhamisë së Shenjtë pas këtij viti. (Et-Teubeh 28)

Gjaku dhe pasuria e atij që bën shirk janë të lejuara. I Madhërishmi thotë në Kur’an: Kur të kalojnë muajt e shenjtë (në të cilët ndalohet lufta), atëherë i vritni idhujtarët kudo që t’i ndeshni, i zini robër, i rrethoni dhe u bëni pusi kudo! Por, nëse pendohen, falin namazin dhe japin zekatin, atëherë i lini të qetë! Vërtet, Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë. (Et-Teubeh 5)

Ai që ka rënë në shirk është në një humbje të madhe dhe ka bërë një mëkat tepër të rëndë, sepse ka përdhosur vlerën e teuhidit, njëshmërisë së Allahut. Allahu thotë në Kur’an: Kush i shoqëron Allahut diçka (në adhurim), i ngjan atij që bie nga qielli e që e rrëmben zogu ose i ngjan atij që stuhia e erës e ka hedhur në një vend të largët e të humbur. (El-Haxhxh 31)

Muslimanëve nuk u lejohet të martohen me idhujtarët. I Lartësuari thotë në Kur’an: Mos u martoni me paganet, gjersa të bëhen besimtare. Skllavja besimtare është më e mirë se pagania, edhe nëse kjo e fundit mund t’ju pëlqejë. Mos i martoni muslimanet me paganë, gjersa ata të bëhen besimtarë. Skllavi besimtar është më i mirë se pagani, edhe nëse ky i fundit mund t’ju pëlqejë. Ata ju thërrasin në zjarr, kurse Allahu, me mirësinë e Tij, ju thërret në Xhenet e falje (të gjynaheve). Ai ua shpjegon njerëzve shpalljet e Veta, që të mendojnë ata. (El-Bekare 221)

Mushrikut (idhujtarit) nuk i pranohet asnjë vepër apo adhurim. Allahu thotë në Kur’an: Me të vërtetë, të është shpallur ty (o Muhamed), si dhe atyre që kanë qenë para teje: “Nëse i shoqëron Allahut diçka tjetër (në adhurim), me siguri që punët e tua do të zhvlerësohen dhe do të jesh ndër të humburit. (Ez-Zumer 65)

Për fund, lusim Allahun të na ruajë nga shirku, nga kufri (mosbesimi), nga dyshimet, nga dyfytyrësia, nga morali i pahijshëm dhe nga përfundimi i keq në pasuri, në familje dhe në pasardhës.

Zoti ynë, na e mundëso që të vërtetën ta shohim si të vërtetë dhe ta pasojmë atë dhe që të kotën ta shohim si të kotë dhe të largohemi prej saj!

I lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i veshin ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, dhe të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve! (Kur’an 37: 80-82)

I lavdëruar qoftë Ai dhe i lartësuar mbi gjithçka, që ia shoqërojnë (në adhurim)! (Kur’an 16:1)

Qoftë i lavdëruar dhe i lartësuar Ai mbi atë, që thonë ata! (Kur’an 17:43)


Shkëputur nga libri: “Muhadarat fi’l-akideti ue’d-daëveti” – Shejh Salih El-Feuzan

Përktheu: Jusuf Kastrati – Shembulli.com




[1] Shirk do të thotë t’i shoqërosh Allahut diçka në adhurim. Sh.p.

[2] Mushrik quhet personi që i shoqëron Allahut diçka në adhurim, idhujtar. Sh.p.


Revista Shembulli

10:06:59am