Kurbani - Sakrifica për Allahun

Si shumë parime islame që kanë për qëllim zvogëlimin e hendeqeve në mes shtresave njerëzore apo tentimin e eliminimit të tyre po ashtu edhe dy festat e bajrameve e kanë njërin prej misioneve të veta ofrimin e zemrave të njerëzve, dhe anashkalimin e urrejtjes dhe armiqësive. Tubimi i tërë masës myslimane në xhami dhe dëgjimi i këshillave nga imami, urimi i festës duke u përqafuar besimtarët me njëri tjetrin, dhënia e sadekatul-fitrit të varfërve në bajramin e fitrit dhe ndarja e mishit të kurbanit me të afërmit dhe të varfrit padyshim se është shkas për ofrimin e zemrave të besimtarëve në mes vete.

Fjala Kurban është fjalë arabe, rrjedh nga rrënja foljore “K-R-B”-karebe që ka kuptimin “Me u afrua”, kurse Kurban në esencë quhet ajo me të cilën afrohesh tek All-llahu. Me kalimin e kohës kjo fjalë e ka marrë kuptimin “të sakrifikuarit - prerja e kafshës në rrugë të All-llahut xh.sh.”.[1]

Fjala “Kurban” Me këtë kuptim përmendet në Kur’an dhe gjithashtu nga ajeti në vijim na bëhet me dije se kurbani i parë është i bijve të Ademit a.s.

وَاتْلُ عَلَيْهِمْ نَبَأَ ابْنَيْ آدَمَ بِالْحَقِّ إِذْ قَرَّبَا قُرْبَاناً فَتُقُبِّلَ مِن أَحَدِهِمَا وَلَمْ يُتَقَبَّلْ مِنَ الآخَرِ قَالَ لَأَقْتُلَنَّكَ قَالَ إِنَّمَا يَتَقَبَّلُ اللّهُ مِنَ الْمُتَّقِينَ

“Lexoju(Muhammed)atyre ngjarjen e vërtetë të dy djemve të Ademit, kur të dy ofruan kurban(për All-llahun), nga të cilët njërit iu pranua, e nuk u pranua prej tjetrit...[2]

Gjithashtu përmendet në Kur’an edhe rasti i të dërguarit të All-llahut Ibrahimit a.s që ka të bëj me kurbanin: “Dhe kur arriti ai (djali) që së bashku me të (me Ibrahimin) të angazhohet në punë, ai i tha: “O djali im, unë kam parë (jam urdhëruar) në ëndërr që të pres ty. Shiko pra, çka mendon ti?” Ai tha: “O babai im, punoje atë që urdhërohesh(nga All-llahu), e ti do të më gjesh mua, nëse do All-llahu, prej të durueshmëve!” E kur ata të dy iu dorëzuan urdhrit të Zotit dhe e shtriu atë përmbys(duke ia vënë thikën në fyt). Ne e thirrëm atë: “O Ibrahim!” Ti tashmë e zbatove ëndrrën(urdhërin)! Ne kështu i shpërblejmë të mirët! Vërtet, kjo ishte sprovë e qartë. Ne e shpaguam atë me një të therur (kurban) të rëndësishëm. Dhe ndaj tij Ne lamë përkujtim të mirë ndër popujt e ardhshëm”.[3]

Kjo është një ngjarje madhështore që tregon durimin e robërve të sinqert të All-llahut në zbatimin dhe nënshtrimin apsolut të tyre ndaj Tij, duke zbatuar çdo urdhër që vie nga ana e All-llahut xh.sh pa hezituar aspak. Si Ibrahimi a.s. që u ballafaqua me prerjen e të birit që ndoshta atë kohë e kishte të vetëm ngase djali me gruan tjetër Sarën Is’haku i kishte lindur në moshë të shtyer siç e cekë Kur’ani ( edhe pse mendimet e komentatorëve të Kur’anit janë të ndryshme në këtë çështje, kjo është më afër logjikës duke u bazuar në argumente) Po ashtu edhe Ismaili u sprovua që në moshën e tij të re, ishte më i ri se shtatë vjeçar apo si qëndron në disa transmetime trembëdhjetë vjeçar[4] dhe nuk u hamend edhe pse në pyetje ishte jeta e tij por tha: “O babai im vepro ashtu si urdhërohesh” sikurse të mos kishte të bënte kjo çështje me përfundimin e jetës së tij. “Ne e shpaguam atë me një të therur (kurban) të rëndësishëm”. –E shpëtuam Ismailin, dhe e zëvendësuam atë me një dash të madhështorë[5], kurse në një koment tjetër thuhet se kurbani në fjalë ishte nga xheneti dhe ishte po ai të cilin e ka ofruar Habili i biri i Ademit a.s., dhe me të erdhi Xhibrili a.s. dhe e preu Ibrahimi a.s. duke e madhëruar All-llahun xh.sh. në shenjë falënderimi për këtë rrugëdalje.[6]

Prerjen e kurbanit për ummetin e Muhamedit a.s.s. All-llahu xh.sh. e bëri obligim në Kur’an në suren El-Kevther: “Ne, vërtet, të dhamë ty shumë të mira.  Andaj ti falu dhe prej kurban për hir të Zotit tënd! E s’ka dyshim se urrejtësi yt është farësosur”.

Kurse Muhamedi a.s.s. ka thënë: “Kush ka mundësi të pres kurban dhe nuk pret le të mos i afrohet vend faljes sonë”[7]

Mjafton që për një shtëpi të pres kurban një njeri dhe të bie obligueshmëria nga të tjerët. Transmeton Ibni Maxheh dhe Termidhiu se Ebu Ejjubi ka thënë: Në kohën e Muhamedit a.s.s. një njeri priste kurban një dele për vete dhe për anëtarët e familjes së tij...”

Është mirë që mishi i kurbanit të ndahet në tri pjesë, njëra të ndalet për vete, tjetra të varfërve dhe pjesa tjetër të afërmve apo fqinjëve.

Koha e prerjes është një prej çështjeve në të cilat duhet pasur kujdes ngase është bërë  gabimisht traditë te shumëkush që nuk kanë njohuri islame që  prerjen e kurbani ta bëjnë natën e bajramit për të vdekur. Kjo çështje jo që nuk ka bazë në islam mirëpo edhe bie ndesh me parimet e tij ngase Muhamedi a.s.s. e ka ndaluar një gjë të tillë në shumë hadithe prej tyre: “E para punë që e fillojmë ditën ( e kurban bajramit) me të është namazi më pastaj të kthehemi e të presim kurban, kush vepron kështu ka veprua sipas synetit tonë, e kush e prenë para (namazit të bajramit) atëherë ai është vetëm mish që ka përgatitur  për familjen e tij, dhe nuk ka të bëjë gjë me kurban”. Gjithashtu transmetojnë Buharia dhe Muslimi se I dërguari i All-llahut ka thënë: “ Kush prenë para namazit, ai vërtetë prenë për vetveten, dhe kush prenë pas namazit (të bajramit) dhe dy hutbeve veç e ka çua në vend kurbanin e tij dhe e ka zbatuar sunnetin e myslimanëve”.

Nga gjërat tjera që duhet pasur kujdes besimtari lidhur me kafshën e caktuar për kurban janë:

1.      Kafsha e zgjedhur për kurban të jetë e shëndosh prej të metave.

2.      Të jetë e rritur - e pjekur (së paku gjashtë mujore sipas hanefive, e një vjeçare sipas Shafiinjëve) kurse deveja duhet të jetë pesë vjeçare dhe lopa dy vjeçare.

3.      Të mos e shes ndonjë pjesë të saj apo edhe lëkurën ngase Muhamedi a.s.s. ka thënë se: “Kush e shet lëkurën e kurbanit të tij nuk i vlen për kurban ai”.

4.      Nuk lejohet të shahet kafsha e caktuar për kurban.

Për në fund e lusim All-llahun xh.sh. që në të ardhmen të presim bajrame në rehati e lumturi, të ofruar me njërin tjetrin, të vëllazëruar për hir të All-llahut dhe të lumtur e të kënaqur me njëri tjetrin, duke mënjanuar urrejtjen dhe armiqësitë që kemi në mes vete, e të vetëdijesuar dhe të aftë për të dalluar të mirën nga e keqja, duke qenë të aftë të përballemi si popull ndaj sfidave të reja dhe të papritura që na kanosen çdo ditë e më shumë, të vendosur që tërë jetën t’i zbatojmë parimet e Islamit duke qenë të vetëdijshëm se ai është gjëja më e shtrenjtë që posedojmë dhe të cilën nuk duhet ndërruar me asgjë dhe s’duhet shitur për asnjë çmim që na ofrohet. E për All-llahun e Gjithëfuqishëm s’ka asgjë të vështirë, me ndihmën e Tij ngadhënjejmë ndaj çdo zullumqari e rreziku që na kanoset në këtë botë, e me ndihmën dhe faljen e Tij shpëtojmë nga zjarri i xhehenemit dhe po deshi Ai na bën të mundur ti shijojmë dhuntitë e xhenetit të Tij pas përfundimit të kësaj jete që është me përplot e përplot brenga.

 

Përgatiti: Irfan ISLAMI



[1] Err-rragib Asfehani, Mufredat elfadhil-Kur’an, fq: 414 – 415

[2] Suretu El-maideh, 27

[3] Suretu es-saffat 101-108

[4] Tefsiru El-xhelalejnë

[5] Tefsiru El-mujesser

[6] Tefsiru El-xhelalejnë

[7] El-hidajeh 39/9 fq 106 Burhanuddin ebu Hasen El-Hanefij, Ahmedi, ibnu Maxheh

 

 


Revista Shembulli

01:44:18am