Qëllimi dhe mënyra (mjeti)

Paramendoni sikur tre persona dëshirojnë të arrijnë në një cak i cili është i vendosur në një mal të lartë shkëmbor.

Personi i parë, duke e ditur se qëllimi i tij është të arrijë deri te caku, e shikon cakun pandërprerë, mbase edhe ngutet për të mbërritur sa më shpejt, mirëpo nuk i kushton vëmendje rrugës nëpër të cilën ecën.

Personi i dytë, e shikon cakun vetëm në fillim dhe pastaj niset duke i kushtuar shumë vëmendje hapave dhe rrugës nëpër të cilën ecën, në mënyrë që të mos shkelë në ndonjë vend të gabuar e më pas të rrëshqasë dhe të mos ketë mundësi të arrijë deri te caku.

Ndërsa personi i tretë, herë e shikon cakun e herë rrugën, në mënyrë që të mos bëjë ndonjë hap që do ta largonte atë nga caku.

Sigurisht që personi i parë, i cili vazhdimisht e shikon cakun, por fare nuk i kushton vëmendje rrugës, gjegjësisht mënyrës ose mjetit që të çon deri te caku, nuk do të mund të arrijë kurrë deri te caku, sepse në këtë mënyrë ai do të shkelë në ndonjë vend të gabuar nga i cili do të rrëshqasë dhe nuk do të mund ta arrijë cakun e dëshiruar.

Kurse, personi i dytë i cili e shikon cakun vetëm në fillim dhe pastaj gjithë vëmendjen e tij ia kushton rrugës, do ta harrojë cakun dhe nuk do të ketë mundësi të arrijë deri tek ai.

I vetmi që do të mundet të arrijë deri te caku është personi i tretë, i cili herë e shikon cakun e herë rrugën nëpër të cilën ecën, sepse vetëm në këtë mënyrë do ta zgjedhë rrugën e duhur dhe nuk do ta gabojë cakun.

Këtë shembull e kam dëgjuar më moti nga një dijetar dhe, ngaqë mendoj se është i dobishëm, desha t'jua përcjell edhe juve.

Allahu na mundësoftë që t'i arrijmë synimet tona nëpërmjet mjeteve dhe mënyrave të duhura!

 

Jusuf Kastrati


Revista Shembulli

04:04:31pm