A lejohet pjesëmarrja në festat e jobesimtarëve?

Pjesëmarrja në festimin e festave të jobesimtarëve është e ndaluar për këto shkaqe:

1. Pjesëmarrja në festimin e Vitit të Ri apo në përgjithësi të festave të tyre aludon për përngjasimin me atë popull. Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Ai i cili i përngjan një populli, ai është prej tyre.” (Ebu Davudi), dhe ky hadith është një kërcënim i rrezikshëm. Abdullah ibn Asi ka thënë: "Ai i cili ndërton shtëpinë në vendin e qafirëve (pranë tyre), feston Vitin e Ri të tyre, dhe i përngjan atyre derisa të vdesë, në Ditën e Gjykimit do të jetë prej të humburve."

2. Pjesëmarrja në festat e tyre është një lloj dashurie ndaj tyre. Allahu subhanehu ue teala thotë: "O ju që besuat! Mos zini miq as jehuditë, e as të krishterët." (El Maide, 51) dhe thotë: "Mos e zini mik armikun Tim dhe armikun tuaj, duke shprehur ndaj tyre dashuri, kur dihet se ata mohuan të vërtetën që u erdhi juve." (El Mumtehine, 1)

3. Festat janë çështje fetare dhe çështje e akides (besimit) dhe nuk janë traditë e kësaj bote, siç ka thënë Pejgamberi salallahu alejhi ue selem: "Çdo popull ka festat e tyre dhe kjo është festa jonë (dy Bajramet).”
Festat e tyre tregojnë besimin e tyre të kotë të kufrit dhe shirkut.

4. Allahu subhanehu ue teala thotë: "(Robërit e Zotit janë) Edhe ata që nuk dëshmojnë rrejshëm dhe kur (rastësisht) kalojnë pranë së keqes, kalojnë duke e ruajtur karakterin e vet." (El Furkan 72). Dijetarët thonë se ajeti “kur kalojnë pranë së keqes” ka për qëllim festat e mushrikëve dhe se nuk lejohet t’u jepen apo t’u shiten kartolina atyre për festat e tyre apo çdo send që ka të bëjë me festat e tyre, si: p.sh. dritat e bredhave, bredhat, etj..

 

Muhammed Salih El Munexhxhid
Përktheu: Eroll Nesimi


Revista Shembulli

01:23:34am