Fale namazin, që Allahu të t'i shlyejë gjynahet përmes tij

Ajet kuranor

Allahu i Madhërishëm thotë:

﴿وَأَقِمِ الصَّلَاةَ طَرَفَيِ النَّهَارِ وَزُلَفًا مِنَ اللَّيْلِ  إِنَّ الْحَسَنَاتِ يُذْهِبْنَ السَّيِّئَاتِ  ذَلِكَ ذِكْرَى لِلذَّاكِرِينَ١١٤﴾

Fale namazin në mëngjes e mbrëmje dhe në një kohë të natës, sepse veprat e mira i shlyejnë veprat e këqija. Kjo këshillë vlen për ata që i pranojnë këshillat. (Kurani, 11:114)

Thënie profetike

Ibn Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të!, ka thënë: "Një njeri kishte puthur një grua (të huaj) dhe më pas kishte vajtur (i penduar) te Pejgamberi dhe e kishte njoftuar për mëkatin që kishte bërë. Atëherë, Allahu i Madhëruar zbriti ajetin: Fale namazin në mëngjes e mbrëmje dhe në një kohë të natës, sepse veprat e mira i shlyejnë veprat e këqija. (Kurani, 11:114) Burri pyeti: "O i Dërguari i Allahut! A vlen kjo vetëm për mua?" Ai i tha: "Vlen për gjithë umetin tim."

[E shënojnë Buhariu dhe Muslimi.]

Urtësi

Ibn Kajimi thoshte: "Teksa robi gjendet në namaz, kibël të fytyrës dhe trupit le ta ketë Qabenë, kurse kibël të zemrës dhe shpirtit le ta ketë Zotin e Qabesë."

Namazi është i vështirë për t'u mësuar (!)

Namazi mësohet shumë lehtë, sepse është diçka që përsëritet vazhdimisht. Posa të fillosh ta mësosh, do të bindesh në këtë që po lexon.

Këshillë

Askush nga ne nuk shpëton nga mëkatimi, andaj falu, që Allahu të t'i shlyejë gjynahet përmes namazit, sepse veprat e mira i shlyejnë të këqijat!


Përgatiti: Hoxhë Jusuf Kastrati


Revista Shembulli

03:37:40pm