Policia ka arrestuar imamin e xhamisë Tutunsuz Rexhep Memishi i cili ka mbajtur ligjërata fetare edhe në xhaminë e Jahja Pashës. Së bashku me të u arrestuan edhe 8 persona të tjerë, të gjithë nën dyshimin se kanë rekrutuar persona nga Maqedonia për të luftuar në Irak e Siri. Për veprën e njëjtë janë parashtruar kallëzime penale, edhe ndaj 27 personave të tjerë, të cilët janë të pakapshëm për policinë. Nga Ministria e Brendshme thonë se kanë informacione se 20 prej tyre ende ndodhen në zonat e konfliktit në Lindjen e Mesme. Sipas ministrit të Brendshëm Çavkov grupi ndërlidhet edhe me 16 shtetas të Maqedonisë të cilët tashmë kanë humbur jetën viteve të fundit në luftimet në Irak e Siri , ndërsa si ideolog kryesor e konsiderojnë pikërisht imamin Memishi.
“Është arrestuar dhe sipas informacioneve dhe provave tona të siguruara, ai konsiderohet si njëri nga ideologët dhe vlerësojmë se me analizat plotësuese do të kemi informacione më konkrete për angazhimin e tij, përkatësisht për aktivitetin e tij në rekrutimin ose në koordinimin e këtyre rrjeteve terroriste”, tha Mitko Çavkov ministër i Brendshëm.
Aksioni i quajtur “Celula” ka filluar në orën 3:30 minuta të mëngjesit të sotëm. Sipas MPB-së janë bastisur 21 objekte në Shkup, 4 në Gostivar dhe nga një në Tetovë, Kumanovë e Strugë Në pjesën më të madhe bëhet fjalë për shtëpi, por bastisje ka pasur edhe në hapësirat ndihmëse të xhamisë Tutunsuz në një internet kafe në Gazi Babë, në një organizatë joqeveritare dhe në një organizatë humanitare. Aksioni i sotëm është rezultat i operacionit që ka filluar që në shtator të vitit të kaluar. Megjithatë sipas ministrit Çavkov në Maqedoni nuk ka kampe trajnimi.
“Se a ka qendra për trajnim, praktikisht nëpërmjet procesit të radikalizmit nuk ka qendra të tilla. Por, megjithatë ka vende ku bëhet një formë e tillë e aktiviteteve”, deklaroi Mitko Çavkov ministër i Brendshëm.
Çavkov theksoi se të arrestuarit janë të përkatësive të ndryshme etnike. Nga Ministria e Brendshme konfirmuan gjithashtu se një nga të arrestuarit është i përkatësisë etnike maqedonase, i cili është konvertuar në islam. Sipas policisë gjatë aksionit janë sekuestruar kompjuterë, telefona celularë, aparate me memorie, një pistoletë me gaz si dhe dëshmi për transferim të shpejtë të parave. Ministri Çavkov shprehet se posedojnë dëshmi të mjaftueshme për veprat për të cilat i ngarkojnë të arrestuarit dhe ata që janë në kërkim. Për aksionin në fjalë ka qenë e informuar edhe Bashkësia Fetare Islame e cila një kohë të gjatë publikisht kërkonte ndërhyrje në një pjesë të xhamive, te të cilat nuk mund të vendoste kontrollin e saj./Alsat-M/