Ditën akuzon imamët, në mbrëmje shtron iftar për krerët e BIK-ut

I nominuari për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, gjatë mbrëmjes së sotme ka shtruar iftar në selinë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Haradinaj ka thënë se këtë e ka bërë për nder të kryetarit të Bashkësisë Islame, myftiut Naim Tërnava dhe udhëheqjes së gjerë të BIK-ut.

Ai gjithashtu ka thënë se së bashku do të punojnë për avancim të vlerave të përbashkëta kulturore dhe fetare.

Por para dy ditësh Haradinaj gjatë një tubimi elektoral në Frrizaj, akuzoi imamët kosovarë të cilët sipas tij “dërguan të rinjtë kosovarë në Siri dhe Irak.

Shkrimi i Haradinajt në Facebook:

Në vazhdën e pritjeve, tashmë tradicionale, në muajin e shenjtë të Ramazanit, sonte në selinë e Aleancës kam shtruar iftar për nder të kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), myftiut Naim Tërnava dhe udhëheqjes së gjerë të BIK-ut.

Paraprakisht bashkëbiseduam për zhvillimet aktuale dhe pozicionin, rolin dhe rëndësinë e Bashkësisë Islame të Kosovës në të gjitha etapat që kaloi vendi dhe populli ynë në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë dhe në angazhimet e përbashkëta drejt shtet ndërtimit. Për këtë unë ua përcjellë mirënjohjen dhe falënderimet e mia.

Do të punojmë së bashku në avancimin e vlerave të përbashkëta edhe kulturore edhe fetare dhe njëkohësisht ta ruajmë dhe kultivojmë islamin tradicional.

Uroj që ky muaj të kalojë në paqe, mirëkuptim e solidaritet midis të gjithë qytetarëve të vendit tonë.


Më të lexuarat