"Evropianët ta pranojnë suksesin ekonomik të Turqisë"

Ish-presidenti i Gjermanisë, Christian Wulff, ka deklaruar se Turqia po bëhet një nga ekonomitë më të mëdha në botë dhe kjo duhet të pranohet, raporton Anadolu Agency (AA).

“Miqtë e mi gjermanë ndoshta nuk do të jenë të lumtur kur do ta dëgjojnë këtë, por duhet ta pranojmë zhvillimin e Turqisë. Pasiqë kompanitë gjermane luajtën një rol të rëndësishëm në zhvillimin e Turqisë, duhet të jemi të kënaqur me suksesin e Turqisë”, deklaroi Wulff në një konferencë të organizuar në Stamboll nga Universiteti Başkent dhe Fondacioni Konrad Adenauer.

Duke iu referuar aeroportit të ri të Stambollit, i cili u hap vjeshtën e kaluar dhe është planifikuar të jetë një pikë lidhëse e re madhështore, ish-presidenti gjerman tha se "Ne duhet ta shohim dhe ta pranojmë se aeroporti më i madh (në botë) do të jetë në Stamboll".

Wulff theksoi se Turqia po ndërton rrugë dhe tunele ndërkohë industria e vendit po zhvillohet dhe vendi po bëhet një nga ekonomitë më të mëdha në botë.

Ai tha se në Stamboll ndihet si në shtëpi. Wulff citoi thënien e Napoleonit: "Nëse bota do të ishte një vend i vetëm, kryeqyteti i saj do të ishte Stambolli".

59-vjeçari Wulff, ish-anëtar i Unionit Kristian Demokratik (CDU), ishte president i Gjermanisë nga viti 2010 deri në vitin 2012.


Më të lexuarat