Siri, vriten 9 civilë në sulmet ajrore ruse në Idlib

Duke shkelur marrëveshjen e armëpushimit, aeroplanët luftarakë rusë kryen sulme ajrore në fshatrat Bsakla, Uraynibah dhe dy fshatra të tjerë në provincën veriperëndimore të Idlibit

Në zonën veri-perëndimore të Sirisë që më herët është shpallur zonë e mbrojtur nga aktet e agresionit, të paktën nëntë civilë u vranë dhe dhjetë u plagosën nga sulmet ajrore ruse, tha agjencia lokale e mbrojtjes civile, transmeton Anadolu Agency (AA).

Avionët luftarakë rusë kryen sulme ajrore në fshatrat Bsakla, Uraynibah dhe dy fshatra të tjerë në provincën veriperëndimore të Idlibit, sipas observatorit të avionëve të opozitës siriane.

Regjimi i Bashar al-Asadit gjithashtu realizoi sulme me mortaja, armë dhe raketa në rrethin Kafr Nabl dhe tre fshatra të tjerë të Idlibit.

Pas sulmeve ajrore, ekipet e mbrojtjes civile filluan përpjekjet e kërkimit dhe shpëtimit.

Numri i të vdekurve nga sulmet në zonat e banuara në zonën e deeskalimit në Idlib gjatë muajit të fundit ka arritur në 75, përfshirë 13 fëmijë, tha grupi i mbrojtjes civile "Helmtat e Bardha".

Për më tepër, në gjysmën e parë të nëntorit sulmet e regjimit të Asadit dhe mbështetësit të tij, Rusisë kanë shaktuar zhvendosjen e rreth 40.000 civilëve brenda zonës së deeskalimit në Idlib, ka njoftuar Grupi Sirian i Koordinimit të Reagimeve, një OJQ lokale.

Turqia dhe Rusia ranë dakord në shtatorin e vitit të kaluar për ta shpallur Idlibin një zonë të deeskalimit ku shprehimisht aktet e agresionit janë të ndaluara.

Regjimi sirian dhe aleatët e tij, megjithatë, kanë thyer vazhdimisht marrëveshjen e armëpushimit, duke ndërmarrë sulme të shpeshta brenda zonës.

Zona e deeskalimit aktualisht është vendstrehim për rreth katër milion civilë, përfshirë qindra mijëra të zhvendosur në vitet e fundit nga forcat e regjimit nga i gjithë vendi i shkatërruar nga lufta.

Siria është përfshirë në një luftë të egër civile që nga fillimi i vitit 2011, kur regjimi u përpoq të shuajë me një dhunë protestat prodemokratike.

Që atëherë, sipas OKB-së, qindra mijëra njerëz janë vrarë dhe më shumë se dhjetë milionë të tjerë janë shpërngulur./AA/


Më të lexuarat