"Vendimi i SHBA-ve për vendbanimet e paligjshme hebreje është antiligjor"

Ministria e Jashtme e Turqisë në një deklaratë me shkrim tha se vendimi i SHBA-ve për vendbanimet e paligjshme hebreje është një shembull i ri i qëndrimit antiligjor dhe të pamatur për legjitimimin e veprimeve të paligjshme të Izraelit, transmeton Anadolu Agency (AA).

"Qeveria amerikane e cila me veprimet e saj vendoset përballë të gjithë komunitetit ndërkombëtar për veprimet e paligjshme në Lartësirat e Golanit dhe Kudsin nën okupimin e Izraelit, këtë herë ka pretenduar se edhe vendbanimet e paligjshme në Bregun Perëndimor nuk janë në kundërshtim me ligjin. Ky është një shembull i ri i qëndrimit antiligjor dhe të pamatur për legjitimimin e veprimeve të paligjshme të Izraelit", thuhet në deklaratën me shkrim nga MPJ e Turqisë. 

Deklarata "fatkeqe" e bërë mbi këtë temë nga Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, shpërfill ligjin ndërkombëtar, kryesisht nenin 49 të Konventës së Kartës së Gjenevës dhe rezolutën 2334 (2016) të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. 

Në vijim të deklaratës thuhet se, "Vendbanimet izraelite mbi territoret palestineze nën okupim përbëjnë pengesën më të madhe për vizionin e zgjidhjes me dy shtete i cili bazohet në parametrat e vendosura ndërkombëtare për zgjidhjen e problemit izraelito-palestinez. Sistemi ligjor ndërkombëtar jo vetëm që nuk do të ndryshojë me veprimet arbitrare të një një vendi, por një akt i tillë nuk ka asnjë vlefshmëri në aspektin e ligjit ndërkombëtar".

Gjithashtu në deklaratën e ministrisë vihet theksi se Turqia me të gjithë anëtarët e komunitetit ndërkombëtar që kanë përgjegjësi do të vazhdojë të mbrojë pavarësinë e shtetit të Palestinës dhe të drejtat legjitime të "popullit vëlla palestinez".

Pompeo mbrëmë deklaroi se tashmë nuk i shohin si të paligjshme vendbanimet hebreje në Bregun Perëndimor nën pushtim. 

Ai tha se administrata e Donald Trumpit ka ndryshuar politikën e periudhës së Barack Obamas lidhur me vendbanimet hebreje në Bregun Perëndimor, duke pohuar se qasja e gjatë prej shumë vitesh e SHBA-ve ndaj zhvillimeve në Bregun Perëndimor nuk ka pasur dobi në sigurimin e paqes. 

Pompeo tha se administrata e ish-presidentit amerikan, Jimmy Carter, në vitin 1978 ka mbrojtur qëndrimin se këto vendbanime nuk janë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, ndërsa administrata e ish-presidentit Ronald Reagan e ka kundërshtuar këtë./AA/


Më të lexuarat