AA filmon nga ajri kampin e çadrave që u sulmua në Idlib

Anadolu Agency (AA) ka filmuar nga ajri kampin e çadrave brenda zonës së deeskalimit në Idlib i cili u sulmua nga grupet terroriste me mbështetje iraniane që luftojnë në radhët e regjimit të Bashar al-Asadit në Siri.

Në sulmin e ndërmarrë dje nga grupet terroriste me mbështetje iraniane në zonën e kampeve Kah në afërsi të kufirit Turqi-Siri, humbën jetën 12 civilë dhe u plagosën të paktën 40 të tjerë.

Në pamjet që AA-ja ka marrë nga ajri vërehet se çadrat dhe muret me tulla janë shembur dhe një pjesë e tyre janë djegur.

Ahmet Zidan, një nga banorët e kampit Kah, në një deklaratë për AA-në sulmin e ka cilësuar si gjenocid dhe ka bërë të ditur se në orët e mbrëmjes janë dëgjuar disa shpërthime.

"Pas shpërthimit të madh u dëgjuan shpërthime të ndryshme dhe pati zjarre. Kishte shumë dëshmorë dhe të plagosur. Njerëzit nga paniku u larguan në kampe të tjera. Ndërsa të tjerët u strehuan në ara", tha Zidan.

Ndërsa Ebu Ammar, një tjetër banor i kampit tha se regjimi i Asadit nuk është mjaftuar me bombardimet e vendbanimeve të tyre ndërkohë që tani ka filluar të bombardojë edhe çadrat ku ata janë strehuar.

Ebu Ammar tha se menjëherë pas sulmit rreth 500 familje janë larguar nga kampi i çadrave ku jetonin.

"Mendova se vdiqa në ëndërr"

Fëmija 10 vjeçar, Huseyin Kalaaci ka bërë të ditur se në sulm babai dhe motra e tij janë plagosur nga copëzat e predhave. "Kur ndodhesha në çadër, bota u shndërrua përnjëherësh në të kuqe", tha ai.

"Çadra filloi të digjej. Pashë gjakderdhje nga babai dhe motra ime. Vëllai i vogël po qante. Mendova se vdiqa në ëndërr", tregon vogëlushi 10-vjeçar Kalaaci momentet e sulmit./AA/


Më të lexuarat