Dita e madhe, dita e Ashures

Falenderimi i takon Allahut, ndërsa begatia dhe mëshira e tij qoftë për profetin Muhamed dhe pasuesit e tij.

Ashura është dita e dhjetë e muajit Muharrem, një nga katër muajt e shenjtë gjatë të cilit jemi urdhëruar që të qëndrojmë larg gjynaheve dhe padrejtësisë. Gjithashtu në këtë muaj është mjaft i pëlqyer agjërimi.

Profeti (alejhi salatu ue selam) ka thënë: “Agjërimi më me vlerë pas agjërimit të muajit të Ramazanit është ai i muajit Muharrem.” (Muslimi)

Dita e Ashurës është nga ditët më me vlerë të vitit dhe agjërimi i kësaj dite është mjaft i pëlqyer.

Ibn Abasi (radijallahu anhuma) ka thënë: “Nuk e kam parë Profetin (alejhi salatu ue selam) që synonte agjërimin e një dite me vlerë, se sa Dita e Ashuras dhe muajin e Ramazanit.” (Buhariu)

Vlera e ditës së Ashures

Agjërimi i kësaj dite fal mëkatet e një viti të plotë.

Profeti (alejhi salatu ue selam) ka thënë: “Agjërimi i Ditës së Ashures, shpresoj që Allahu të më falë gjynahet e vitit që kaloi.” (Muslimi)

Agjërimi i Ditës së Ashurës ka qenë i ligjëruar edhe tek popujt para nesh

Profeti (alejhi salatu ue selam) kur erdhi në Medine shikoi çifutët që agjëronin në këtë ditë dhe tha: “Kjo është një ditë e mirë. Në këtë ditë Allahu shpëtoi Beni Israilët nga armiku i tyre, prandaj Musai agjëronte këtë ditë. Mua më takon që ta agjëroj më shumë se sa ju. Prandaj Profeti (alejhi salatu ue selam) agjëronte këtë ditë dhe urdhëroi agjërimin e saj.” (Buhariu)

Kurse në transmetimin e Muslimit thuhet: ”Kjo është një ditë e madhe, në të cilën Allahu shpëtoi Musain e popullin e tij dhe fundosi Faraonin dhe popullin e tij, për këtë arsye agjëronte Musai si falenderim ndaj Allahut, prandaj edhe ne e agjërojmë.”

Pëlqehet të agjërohet edhe një ditë para saj

Kur Profeti (alejhi salatu ue selam) e agjëronte Ditën e Ashurës i treguan se kjo është një ditë që e madhërojnë çifutët dhe të krishterët. Profeti (alejhi salatu ue selam) tha: “Vitin që vjen, do të agjërojmë edhe ditën e nëntë në dashtë  Allahu. Kur erdhi viti tjetër Profeti (alejhi saltu ue selam) kishte ndërruar jetë.” (Muslimi)

Pra, kishte për qëllim të mos iu ngjasonte atyre në këtë adhurim, duke agjëruar edhe ditën e nëntë.

Bidatet e Ashuras

Është pyetur Shejhul Islam Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) për veprimet që bëjnë njerëzit këtë ditë, siç është: Larja e të gjithë trupit, përshëndetja me dhënien e dorës, gatimi i grurit, shfaqja e gëzimit, etj.

Ai është përgjigjur: Falenderimi i takon Allahut për gjithçka. Nuk është transnetuar asnjë hadith i saktë në lidhje me këto veprime dhe të tjera si këto, as nga shokët e tij, as nga tabi-inët apo katër imamët e medh-hebeve. Gjithashtu ka përmendur edhe bidatet e shijave të cilët këtë ditë e konsiderojnë si ditë mërzie, vajtimi duke grisur rrobat dhe duke goditur veten. Dhe për këta thotë: E keqja dhe sherri që sjellin këta njerëz për fenë islame nuk i numëron dot as oratori më mirë.

E mbyll fjalën e tij duke thënë: Një grup e konsiderojnë këtë ditë si feste dhe ditë gëzimi, kurse të tjerët e shfaqin si ditë mërzie dhe zemërimi dhe të dyja grupet janë jashtë traditës profetike.

Pra, në këtë ditë nuk veprohet asgjë e veçantë përveç agjërimit.

Allahu na forcoftë në fenë islame dhe na bëftë pasues të denjë të traditës profetike. Amin!

 

Hoxhë Irfan TOTA


Revista Shembulli

10:37:59am