Erdoani: Jemi vendi i vetëm i NATO-s që ka mundur organizatën terroriste DAESH

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan deklaroi se "Ne jemi vendi i vetëm i NATO-s që ka luftuar ballë për ballë me organizatën terroriste DAESH në territorin e Sirisë", raporton Anadolu Agency (AA). 

"Ne jemi vendi i vetëm i NATO-s që ka luftuar ballë për ballë me DAESH-in në territorin e Sirisë dhe që ka mundur këtë organizatë terroriste, në një periudhë që ndaj Turqisë bëheshin shpifje të shumta", tha presidenti Erdoğan gjatë një fjalimi të mbajtur në Ankara në takimin e Këshillit të NATO-s dhe Partnerëve të Dialogut Mesdhetar të NATO-s.

"Në rajonet që pastruam nga terrorizmi kemi siguruar rikthimin e rreth 320 mijë refugjatëve sirianë", tha Erdoğan duke shtuar më tej se "Në Idlib, i cili ishte në prag të një katastrofe të madhe humanitare, morëm iniciativën dhe siguruam sërish rivendosjen e paqes. Prandaj, sikurse penguam vdekjen e qindra mijëra sirianëve të pafajshëm ne po ashtu parandaluam edhe një rrjedhje të parregullt migracioni që do ta trondiste thellë Evropën."

Pasi vuri në dukje se presin që miqtë në NATO të veprojnë vetëm në përputhje me frymën e Aleancës dhe të mbrojnë vlerat themelore të saj ai deklaroi se "Marrëdhëniet që Turqia ka zhvilluar me vendet dhe rajonet e ndryshme nuk janë alternativë të njëra-tjetrës por plotësuese".

"Nuk ka asnjë arsyetim të drejtë që aleatët tanë të pajisin organizatat terroriste të cilat i drejtojnë armën vendit tonë dhe synojnë jetën dhe pronën e qytetarëve tanë. Po ashtu nuk ka kuptim që këto organizata të furnizohen plot e përplot me armatime dhe municione, apo që krerët e këtyre organizatave të priten nga disa vende me qilima të kuq", theksoi Erdoğan.

Ai ka përmendur edhe aktivitetet e organizatës terroriste FETO jashtë vendit kundër Turqisë: "FETO vazhdon kundër vendit tonë aktivitetet e saj shkatërruese jashtë vendit pa ndërprerje. Për fat të keq, disa nga aleatët tanë gjithashtu kryetarëve apo anëtarëve të kësaj organizate që kanë marrë pjesë personalisht në tentativën e grusht shtetit u ofrojnë mundësi për t'i shpëtuar drejtësisë", potencoi Erdoğan.

Duke vënë theksin se Turqia ashtu sikurse në periudhën e luftës së ftohtë edhe sot është një vend që ka dhënë kontribute gjithëpërfshirëse dhe e cila vepron në solidarizim me aleatët e saj në NATO, Erdoğan tha: "Turqia krahas rolit të saj në misionet e NATO-s në Bosnjë e Hercegovinë, Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut ajo ka ndërmarrë role të rëndësishme edhe në ndërtimin e paqes në Afganistan".


Më të lexuarat