Shqipëri, 50 persona të vdekur nga tërmeti

Pas përfundimit të operacioneve të kërkimit dhe shpëtimit në zonat e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri, sipas institucioneve të vendit, numri i viktimave është rritur në 50, ndërsa qindra persona janë plagosur, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit të Ministrave konfirmoi se “Numri i qytetarëve që janë ndarë nga jeta si rezultat i tërmetit ka mbërritur në 50 dhe operacionet e kërkim-shpëtimit kanë përfunduar.”

Në operacionet e kërkim-shpëtimit në Qarkun e Durrësit u përfshinë ekipe nga Shqipëria, Kosova, Turqia, Maqedonia e Veriut, Greqia dhe vende të tjera.

Gjatë ditëve të fundit vendi u godit nga disa tërmete të tjerë, duke shkaktuar dëme materiale dhe panik tek banorët, të cilët në disa qytete janë larguar përkohësisht nga banesat e tyre duke u strehuar edhe tek të afërmit.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka njoftuar se në vend vijon gjendja e gatishmërisë, ndërsa mijëra persona kanë marrë shërbim në spitale, qendra shëndetësore dhe kampet e emergjencës për shkaqe që lidhen me tërmetin. Sipas këtij institucioni, 913 të lënduar si pasojë e tërmetit kanë marrë trajtim në spitale.

Qindra banorë që ishin vendosur përkohësisht në kampingun e ngritur në Njësinë Administrative Thumanë të Qarkut Durrës dhe në kampingun e ngritur në qytetin e Durrësit dhe disa fshatra janë akomoduar nëpër hotele dhe objekte të tjera, ndërkohë pritet edhe akomodimi i qindra të tjerëve.

Tërmeti me magnitudë 6,3 ballë që goditi Shqipërinë më 26 nëntor, përveçse shkaktoi dhjetëra të vdekur dhe qindra të plagosur, shkaktoi edhe dëme të konsiderueshme materiale.

Si pasojë e tërmetit janë shkatërruar dhe dëmtuar pallate, shtëpi, monumente kulture, objekte të institucioneve, ndërsa vendi u godit në ditët e fundit edhe nga disa tërmete të tjera./AA/


Më të lexuarat