Bletët dhe telefonat mobil

Gjatë viteve të fundit në mbarë botën, në masë shumë të madhe, është zvogëluar numri i bletëve dhe deri më tani nuk dihet shkaktari. Ndonëse tek bletët nuk është gjetur asnjë sëmundje, numri i tyre është zvogëluar në mënyrë drastike.

Deri më tani si shkaqe të mundshme janë përmendur viruse të ndryshme, pesticide, inxhinieria gjenetike e farës dhe ndryshimet klimatike, por për asgjë prej këtyre nuk janë gjetur dëshmi konkrete. Zhdukja e numrit të madh të bletëve ka filluar të vërehet me pakësimin e rezervave të pemëve dhe perimeve për polenizimin e të cilave janë më meritoret pikërisht këto insekte.

 

Shkencëtarët nga Universiteti Panxhab në Indi kanë bërë një eksperiment në të cilin kanë përdorur dy koshere me bletë. Në njërën koshere kanë vendosur një telefon mobil në të cilin dy herë brenda dite kanë simuluar thirrje nga 15 minuta. Në kosheren tjetër kanë vendosur një imitacion të telefonit mobil i cili nuk ka dhënë asnjë sinjal. Pas tre muajsh, shkencëtarët kanë zbuluar se numri i bletëve në kosheren me telefonin mobil të aktivizuar është zvogëluar dukshëm. Bletët e ekspozuara në rrezatimin e telefonit mobil, janë sjellë në mënyrë të pazakontë, kanë prodhuar dukshëm më pak vezë dhe nuk kanë prodhuar mjaltë. Me këtë eksperiment, shkencëtarët nga Panxhabi kanë vërtetuar mundësinë e përmendur disa vite më parë, se telefonat mobil mund të jenë shkaktarë të vdekshmërisë masive të bletëve në botë.

Nëse bletët zhduken, jeta e njerëzve vështirësohet. Kjo gjë dihet qartë. Bletët janë faktor i pashmangshëm në 75% të prodhimeve ushqimore. Është me rëndësi të ceket se bletët janë zhdukur edhe në ato vise në të cilat nuk jetojnë më njerëzit. Andaj, mu këtu lind problemi, sepse më nuk ka kush ti polenizojë bimët të cilat janë prodhuese të mëdha të oksigjenit. Bletët, qartë janë tejet të rëndësishme për njeriun. Thënë ndryshe, bletët janë sikur tjegull në murin e madh “natyror”. Nëse ajo tjegull nxirret, i tërë sistemi humb stabilitetin, ndërsa muri mund edhe te rrëzohet...

Përktheu: Arsim SYLA