Unioni Botëror i Dijetarëve Muslimanë: Bllokada ndaj Katarit të hiqet sa më parë

Unioni Botëror i Dijetarëve Muslimanë ka ftuar në arsye të shëndoshë për tejkalimin e krizës në Gjirin Persik, duke kërkuar që bllokada diplomatike ndaj Katarit të hiqet sa më parë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në deklaratën e unionit që mban nënshkrimin e sekretarit të përgjithshëm Dr. Ali Muhjiddin Al Karadagi, thuhet se me keqardhje është ndjekur kriza në Gjirin Persik.

"Propaganda që shoqëroi krizën ka shkelur të drejtat e umetit islam. U ndërprenë marrëdhëniet mes shteteve fqinje dhe vëllazërore në Gjirin Persik", thuhet më tej në deklaratë.

Në deklaratë theksohet se për tejkalimin e krizës është e nevojshme që të mbizotërojë arsyeja e shëndoshë, të merren parasysh interesat e rajonit dhe palët të ulen në tryezën e dialogut në mënyrë konstruktive.

Ndërkaq, unioni i ka dënuar dhe i ka cilësuar si të pabaza akuzat për terrorizëm ndaj disa organizatave dhe figurave të shquara, në mesin e të cilëve gjendet edhe dijetari egjiptian dhe kreu i unionit, Jusuf al-Kardavi.

"E dënojmë futjen e pabazë të kreut të Unionit Botëror të Dijetarëve Muslimanë, Jusuf al-Kardavi, Shejh Ali es-Sallabi dhe teologëve dhe figurave të tjera të shquara, të cilët ia kanë dedikuar jetën Islamit dhe muslimanëve, në listën e terrorizmit nën akuzat se kanë mbështetur terrorin", thuhet në deklaratë.

Duke iu drejtuar liderëve të shteteve të Gjirit lidhur me krizën mes Katarit dhe disa shteteve arabe, unioni ka bërë thirrje që "bllokada e vendosur në këtë muaj të bekuar të hiqet përfundimisht dhe të rikthehet fryma e vëllazërisë mes këtyre shteteve".

Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Bahreini, Egjipti dhe Jemeni më 5 qershor njoftuan se kanë ndërprerë të gjitha lidhjet diplomatike me Katarin, duke e akuzuar atë për "mbështetje të terrorizmit'.

Diplomatët e Katarit u urdhëruan që brenda 48 orëve ta lëshonin Arabinë Saudite, EBA-të dhe Bahreinin, të cilat Katarit i mbyllën hapësirën ajrore.

Ndërkaq, më 9 qershor, Arabia Saudite, EBA-të, Bahreini dhe Egjipti përfshinë në "listën e terrorizmit" 59 njerëz dhe 12 organizata bamirëse që mbështeten nga Katari, përfshirë edhe Kardavin, duke i akuzuar ato për "lidhje me terrorizmin". 


Më të lexuarat