Ndihmojeni nevojtarin në udhëtim

Nga Ebu Seid el-Hudriju - radijallahu anhu – përcillet të ketë thënë: “Derisa ishim në një udhëtim me Pejgamberin - sal-lallahu alejhi ve sel-lem - erdhi një njeri i hipur mbi deve dhe filloi ta hidhte shikimin sa në të djathtë e sa në të majtë. Atëherë, i Dërguari i Allahut - sal-lallahu alejhi ve sel-lem - tha: "Atij që i ka tepruar ndonjë kafshë që shalohet le t'ia japë atij që nuk ka dhe ai të cilit i ka tepruar ushqim le t'ia japë atij që nuk ka ushqim."

Transmetuesi thotë: “Përmendi sa përmendi nga llojet e pasurisë, derisa menduam se askush nga ne nuk ka të drejtë në tepricë.”

Hadithin e shënojnë Muslimi dhe Ebu Davudi. Ky është termi i Muslimit

Domethënia e hadithit

Një ditë prej ditësh Ebu Seid el-Hudriju dhe një grup sahabësh ishin në udhëtim me Pejgamberin, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të. Një njeri i hipur mbi deve erdhi dhe filloi të shikonte sa djathtas e sa majtas, në mënyrë që t'ua bënte me dije atyre se ka nevojë për ndihmë.

I Dërguari i Allahut - sal-lallahu alejhi ve sel-lem - urdhëroi që ai, i cili ka diçka më tepër sesa ajo që i nevojitet nga devetë, ushqimi a të ngjashme me to t'i ndihmojë atij që nuk e ka ndonjërën prej tyre.

I Dërguari i Allahut - sal-lallahu alejhi ve sel-lem - kërkoi prej tyre që t'i ndihmojnë nevojtarëve me çdo gjë shtesë për të cilën nuk kanë nevojë, qoftë ushqim, pije, rroba, enë a deve.

Prandaj, sahabët, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, menduan se asgjë nga pasuria, e cila tejkalon nevojat e tyre nuk u përket atyre, por detyrohen që ta shpenzojnë atë në ndihmë ndaj nevojtarëve.

Dobitë e hadithit

1- Islami është fe e ndihmës dhe mëshirës.

2- Ndihma ndaj nevojtarit me çdo gjë që tejkalon nevojat, qoftë diçka që shalohet, që hahet, që pihet a diçka e ngjashme.

 

Përktheu: Jusuf Kastrati
Marrë nga libri “Hadithi”, Instituti i Mësimit të Gjuhës Arabe, Universiteti “Imam” - Riad