Xhurejxh ibadetçiu

Nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcillet se i Dërguari i Allahut, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë:

“Tre (fëmijë) kanë folur në djep: Isai, i biri i Merjemes dhe fëmija në ngjarjen e Xhurejxhit (i treti përmendet më vonë).

Xhurejxhi ishte njeri që bënte shumë ibadet. Për këtë shkak, ai ndërtoi për vete një eremi (ndërtesë të posaçme për ibadet), ku adhuronte Allahun. Një ditë, kur ky ishte në namaz, i erdhi e ëma dhe e thirri atë: “O Xhurejxh!” Ky tha (në vete): “O Zoti im, në­na ime apo namazi?” Atëherë, u përcaktua për vazhdimin e namazit, kur­se e ëma e tij u largua. Të nesërmen në agim, ajo erdhi prapë dhe sërish e gjeti në namaz. Ajo e thirri atë: “O Xhurejxh!” Ky tha: “O Zoti im, nëna ime apo namazi?” Sërish u përcaktua për vazhdimin e namazit. Ditën e tretë, nëna e tij erdhi përsëri dhe filloi ta thërrasë: “O Xhurejxh!” Ky, sërish tha: “O Zoti im, nëna ime apo namazi?” Edhe kësaj here e zgjodhi namazin. Porse e ëma vazhdoi duke thënë: “O Allahu im, mos e vdis atë pa i parë fytyrat e lavireve!”

 

Beni Israilët filluan ta zinin në gojë ndërmjet tyre Xhurejxhin dhe ibadetin e tij. Aty ishte edhe një grua lavire, e cila shquhej për bukurinë e saj. Ajo tha: “Po deshët, unë do ta sprovojë atë për ju.” Ajo iu paraqit atij, por ai as që e shikonte atë. Atëherë, ajo iu afrua një bariu, i cili qëndronte pranë eremisë së Xhurejxhit. Iu paraqit edhe bariut dhe bëri marrëdhënie imorale me të, kështu që mbeti shtatzënë. Kur lindi, ajo tha: “Ky fëmijë është i Xhurejxhit.”

Atëherë njerëzit erdhën te eremia e tij, e zbritën poshtë atë, ia rrënuan ereminë dhe filluan ta rrahin.

Ai tha: “Ç’është me ju, o njerëz?!”

Ata i thanë: “Ke bërë amoralitet me këtë lavire, ajo ka lindur një fëmijë nga ti.”

Atëherë, ai tha: “Ku është foshnja?”

Kur ia sollën atë, tha: “Më lejoni të falem!”

Pasi u fal iu afrua foshnjës, e preku në bark dhe i tha: “O fëmijë, cili është babai yt?”

Foshnja tha: - “Filan bariu!”

Atëherë, njerëzit iu afruan atij dhe filluan ta përqafonin e ta preknin dhe i thanë: “Po ta ndërtojmë ereminë prej ari.”

Ai tha: “Jo, ma ndërtoni atë siç ka qenë; prej balte!”

Atëherë, ata ia ndërtuan atë.”


“Një herë tjetër, derisa një foshnje po thithte gjirin e nënës së vet, kaloi atypari një njeri i hipur mbi një kafshë të hijshme e të fuqishme. Nëna e saj tha: “O Allah, bëje birin tim si ky njeri!” Në atë çast, foshnja la gjirin, u kthye kah ai dhe duke e shikuar atë tha: “O Allahu im, mos më bëj si ky njeri!” Pastaj, iu kthye sërish gjirit dhe vazhdoi të thithte.”

Sikur po e shoh të Dërguarin e Allahut, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, se si e fuste gishtin e tij tregues në gojë dhe e thithte atë duke na treguar.

Pastaj, Pejgamberi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, vazhdoi duke thënë: “Më pas kaluan disa njerëz, të cilët rrihnin një robëreshë dhe i thoshin: “Ke bërë amoralitet, ke vjedhur.” Kurse, ajo thoshte: “HasbijAllahu ve ni’mel Uekijl! (Më mjafton Allahu dhe sa Mbrojtës i mirë është Ai!”) Në këtë rast, nëna e fëmijës tha: “O Allahu im, mos e bëj birin tim si kjo!” Atëherë, foshnja la gjirin sërish, e shikoi atë dhe tha: “O Allahu im, më bëj si kjo!”

Atëherë, nëna iu kthye foshnjës dhe i tha: “Çudi! Kur kaloi pranë nesh një njeri i pashëm, thashë: “o Allah, bëje birin tim si ky njeri”, kurse ti the: “o Allahu im, mos më bëj si ai.” Ndërsa, kur kaluan njerëzit që po e rrihnin robëreshën dhe po i thoshin: “ke bërë amoralitet, ke vjedhur” thashë: “o Allah, mos e bëj birin tim si kjo” ti the: “o Allahu im, më bëj si ajo!”

Atëherë, fëmija tha: “Ai njeriu i pashëm është tiran (zullumqar), prandaj thashë: “o Allahu im, mos më bëj si ai!” Kurse, asaj robëreshës i thoshin se ka bërë amoralitet, por ajo nuk kishte bërë dhe i thoshin se ka vjedhur, por ajo nuk kishte vjedhur. Prandaj, thashë: “O Allahu im, më bëj si ajo!”[1]


Çka përfitojmë nga ky hadith:

1. Madhështia e bamirësisë ndaj prindërve, e sidomos ndaj nënës dhe sqarimi se duaja e prindërve për fëmijën e tyre është e pranuar.

2. Allahu shpëton robin për shkak të devotshmërisë së tij.

3. Po qe se disa çështje nuk përputhen me njëra-tjetrën, atëherë fillohet prej asaj që është më e rëndësishme.

4. Pëlqimi i marrjes abdes për namaz, kur duam të lutemi për gjëra të rëndësishme.

5. Abdesi ishte i njohur edhe në kushtetutat e mëhershme.

6. Vërtetimi i kerameteve të evliave (miqve të Allahut) dhe se ato mund të ndodhin edhe me kërkesën e tyre.

7. Butësia ndaj robit (skllavit), në qoftë se ai bën diçka për të cilën duhet marrë masa.

8. Atij që është i sinqertë ndaj Allahut nuk i bëjnë dëm sprovat.

9. Lejohet zgjedhja e ibadeteve më të rënda për atë që e di se ka forcë t’i përballojë ato.

10. Ai që bën amoralitet humb dinjitetin.

11Bindja e fortë e Xhurejxhit dhe shpresa e tij e saktë në Allahun, sepse ai mori në pyetje të porsalindur edhe pse nuk është e zakonshme që foshnja të flasë.

12. Përbuzja e mendjemadhësisë dhe pëlqimit të vetvetes e njëkohësisht edhe përbuzja e zullumqarëve.

13. Ai, të cilit i bëhet zullum ka vlerë të madhe te Allahu i Lartmadhërishëm, ngase sikur të mos ishte kështu nuk do të kishte qenë e pëlqyeshme lutja e foshnjës për tu bërë sikurse ajo robëresha.

14. Lejohet lënia e namazit vullnetar, nëse falësin e thërret ndonjëri nga prindërit për ndonjë çështje të lejuar.

15. Nuk lejohet të nxitohet për të vërtetuar akuzat pa pasur dëshmi.

 


Përktheu: Jusuf Kastrati

Marrë nga libri: "60 kissah rauaha En-Nebijju s.a.v.s. ue as'habuhu" - Muhammed ibn Hamid

 



[1] Hadithin e transmetojnë Buhariu (3436) dhe Muslimi (2550).


Revista Shembulli