Nga Enes ibën Maliku - radijallahu anhu - transmetohet se i Dërguari i Allahut - sal-lallahu alejhi ve sel-lem - ka thënë: "Ndihmoje vëllanë tënd kur bën padrejtësi dhe kur i bëhet e padrejtë!" Një njeri tha: "O i Dërguar i Allahut, e ndihmoj nëse i bëhet e padrejtë, por si ta ndihmoj kur ai bën padrejtësi?" I Dërguari tha: "Ta ndalosh nga padrejtësia, kjo është ndihmë për të."
Këtë hadith e shënojnë Buhariu dhe Tirmidhiu. Ky është citati i Buhariut.
Domethënia e hadithit
Allahu i Lartësuar ia ka ndaluar Vetes padrejtësinë dhe e ka bërë të ndaluar ndërmjet robërve të Vet. Andaj, nuk i lejohet ndonjë njeriu t'i bëjë padrejtësi tjetrit, e nëse ndodh një gjë e tillë, atëherë ai musliman, i cili ka mundësi detyrohet ta ndihmojë atë të cilit i bëhet e padrejtë, ta largojë padrejtësinë prej tij dhe ta ndalojë zullumqarin nga padrejtësia që ua bën të tjerëve, siç përmendet në hadithin e mësipërm: “Ndihmoje vëllanë tënd kur bën padrejtësi dhe kur i bëhet e padrejtë”.
Sahabët, radijallahu anhum, e dinin se si duhet ndihmuar ai, të cilit i bëhet padrejtësi, po ashtu e dinin se nuk duhet ndihmuar zullumqarin duke e përkrahur në padrejtësi, pra si mund të jetë atëherë?
Pejgamberi - sal-lallahu alejhi ve sel-lem - ua bëri të qartë atyre se kjo bëhet duke e ndaluar atë nga zullumi, sepse zullumi që ai ua bën të tjerëve është njëkohësisht zullum ndaj vetes së tij, sepse me këtë ai zhytet në mëkatin e padrejtësisë, për të cilin e dënon Allahu. Prandaj, ndalimi i tij nga ky mëkat është ndihmë për të.
Dobitë e hadithit
1. Ndalimi i çdo lloj zullumi ndërmjet njerëzve.
2. Ndihma ndaj atij që i bëhet padrejtësi dhe ndalimi i zullumqarit është detyrë për çdo musliman që ka mundësi ta bëjë këtë.
3. Islami është fe e drejtësisë dhe e mëshirës.
Përktheu: Jusuf Kastrati – Shembulli.com
Marrë nga libri “Hadithi”, Instituti i Mësimit të Gjuhës Arabe, Universiteti “Imam” në Riad