Nderimi i fqinjit

Nga Abdullah ibën Amri - radijallahu anhuma – përcillet se ai kishte therur një dele, mandej kishte thënë: "A i dhuruat diçka nga ajo fqinjit tonë çifut, sepse e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut - sal-lallahu alejhi ve sel-lem - duke thënë: "Vazhdimisht më këshillonte Xhibrili – alejhis-selam - për fqinjin, sa që mendova se do t’i japë të drejtë trashëgimie."

Këtë hadith e shënon Ebu Davudi.

Domethënia e hadithit

Abdullah ibën Amri - radijallahu anhuma - kishte një fqinj çifut. Një ditë prej ditësh theri një dele që të hanë familja e tij nga mishi i saj dhe pasi që kishin marrë mishin i pyeti ata se a i dhuruan ndonjë copë mishi fqinjit të tij çifut, sepse ai e dinte se Allahu ka caktuar hak të madh për fqinjin. Allahu i Lartësuar dërgoi Xhibrilin – alejhis-selam - te Pejgamberi ynë Muhammedi - sal-lallahu alejhi ve sel-lem - për ta këshilluar dhe urdhëruar atë që ta nderojë fqinjin e vet dhe të interesohet për të.

Xhibrili – alejhis-selam - vazhdoi duke këshilluar Muhammedin - sal-lallahu alejhi ve sel-lem - dhe duke ia treguar hakun e madh që e ka fqinji, derisa Pejgamberi - sal-lallahu alejhi ve sel-lem - kujtoi se ai do e urdhërojë atë që të trashëgojë fqinji nga pasuria e fqinjit të tij të vdekur, sikur të ishte prej të afërmve të tij.
Kjo dëshmon për hakun e madh që e ka fqinji ndaj fqinjit, edhe nëse nuk është musliman.

Dobitë e hadithit

1. Vërtetimi i hakut të fqinjit dhe kujdesi i Islamit për të.
2. Fqinji ka hak, edhe nëse nuk është musliman.
3. Dhurata është prej shkaqeve të zbutjes së zemrave dhe dashurisë ndërmjet njerëzve.

 

Përktheu: Jusuf Kastrati – Shembulli.com
Marrë nga libri “Hadithi”, Instituti i Mësimit të Gjuhës Arabe, Universiteti “Imam” në Riad