Magjia

Falënderimi i takon All-llahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga All-llahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon All-llahu s’ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s’ka hyjni tjetër përveç All-llahut , i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij.

“O ju që keni besuar, keni frikë All-llahun me një frikë të denjë dhe mos vdisni, pos duke qenë muslimanë!” (Ali Imran: 102)

“O ju njerëz! Keni frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje dhe nga ajo krijoi palën e saj, e prej atyre dyve u shtuan shumë burra e gra. Dhe keni frikë All-llahun që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin, se All-llahu është Mbikqyrës mbi ju.” (En-Nisa:1)

“O ju besimtarë, keni frikë All-llahun dhe thuani fjalë të drejta. Ai (All-llahu) ju mundëson të bëni vepra të mira, jua shlyen mëkatet e juaja,e kush respekton All-llahun dhe të Dërguarin e Tij, ka shpëtuar me një shpëtim të madh.” (El-Ahzab:70:71)

Vëllezër besimtarë!

Bashkësia njerëzore gjatë tërë historisë së saj është përshkruar me intriga, mashtrime dhe manipulime, dhe atë nga një shtresë njerëzish, të cilët, të veshur me rroba reformatorësh, kanë mashtruar njerëzit kinse janë duke vepruar për të mirën e tyre ndërsa në realitet ata kanë shkatërruar më shumë se që kanë përmirësuar. Ata shkelën e shkatërruan fe e moral, nder e edukatë, ata harruan se një ditë do të dalin para Allahut për të dhënë llogari. Thotë Allahu:

11. E kur atyre u thuhet: “Mos e prishni rendin në tokë”! Ata thonë: “Ne jemi vetëm përmirësues (paqtues)!”. (el Bekare, 11)

Në kuadër të këtyre njerëzve mashtrues hyjnë edhe magjistarët, të cilët janë më të rrezikshëm për besimin e njeriut se çdo gjë tjetër. Si jo kur besimi ne veprat e tyre është mjet për dalje nga feja apo edhe vet dalje prej saj.

Besimtarë të nderuar!

Magjia, apo sihri siç e njohim në gjuhën popullore, është një mashtrim dhe dredhi e kryer nga magjistari për qëllime tejet të ulëta; për përfitimin e zemrës se ndonjë femre, për përfitimin e simpatisë se ndonjë lideri, për shkatërrimin e të mirave të ndonjë njeriu, për ndarje të dy bashkëshortëve, etj.
Magjia konsiderohet mashtrim për arsye se atë që demonstron magjistari në fakt nuk është e vërtetë edhe pse ndikon tek njerëzit. Kështu është definuar në fe: Veprim tërësisht i fantazuar, iluzion, por me ndikim. Allahu përkitazi me Musain, alejhi’s selam dhe të themi kushtimisht me garën e tij me magjistaret ka thënë:

Ai (Musai) tha: “Hidhni ju”! E kur hodhën ata (shkopinj e litarë), magjepsën sytë e njerëzve, i frikësuan ata dhe sollën një magji të madhe”. (el A’raf, 116)

Ai (Musai) tha: “Jo, hidhni ju!” Kur ja, atij iu duk se nga ajo magji e tyre litarët dhe shkopinjtë lëviznin (si gjarpërinj)”. (Taha, 66)

Pra, magjia në të vërtetë na qenka një mashtrim dhe demonstrim i maskuar i magjistarit për të bindur masën e paarsimuar të njerëzve se kinse ajo që bën ai është e vërtetë. Allahu, në ajetet e përmendura më lartë, rrëfeu se ata iu kanë bërë magji syve të njerëzve, iu kanë shkaktuar iluzione dhe se jo në të vërtetë ata bën shkopinjtë e tyre gjarpërinj.

Këtë e dëshmon më së miri fakti se posa Musai, alejhi’s selam hodhi shkopin e tij dhe u shndërrua në gjarpër, të gjithë magjistarët u penduan për atë që kishin bërë dhe iu kthyen fesë së Allahut ngase kuptuan se veprimi i Musait, alejhi’s selam nuk është magji por mrekulli, që njeriu nuk mund ta bëj dhe se gjarpërinjtë e tyre nuk ishin fare të vërtetë. Thotë Allahu:
45. Atëherë edhe Musai e hodhi shkopin e vet, i cili menjëherë gëlltiste gjithë çka kishin improvizuar ata.
46. Atëherë magjistarët ranë në sexhde (u përulën).
47. E thanë: “Ne i besuam Zotit të botëve,
48. Zotit të Musait e të Harunit!”. (esh Shuara, 45-48)

Muslimanë të nderuar!

Edhe pse me lloje e mënyra të ndryshme, magjia në tërësi mbetet e ndaluar në fe. Ajo konsiderohet prej mëkateve të mëdha. Thotë Pejgamberi, alejhi’s selam:
Largojuni shtatë (mëkateve) shkatërruese. Thanë cilat janë ato, o i Dërguar i Allahut? Tha:Shirku, magjia, mbytja e njeriut pa të drejt e që e ka ndaluar Allahu, ngrënja e kamatës, ngrënja e pasurisë së jetimit, kthyerja e shpinës kur takohen dy palët (ikja nga fronti) dhe shpifja ndaj grave të ndershme muslimane”. (Buhariu dhe Muslimi)

Jo vetëm kaq. Magjia konsiderohet pabesim (kufër) apo mjet që të shpie tek kufri, dhe mu për këtë ndalohet. Thotë Allahu:

(E hodhën librin e Zotit) E ndoqën atë që e thonin djajt në kohën e sundimit të Sulejmanit. Po Sulejmani nuk ishte i pafé, djajt ishin të pafé, sepse u mësonin njerëzve magjinë…”. (el Bekare, 102)

Mu për këtë është ndaluar mësimi i magjisë për vete dhe mësimi i saj të tjerëve. Ibni Kudame ndalonte rreptësishtë mësimin e magjisë. Ai ka thënë: Nuk dimë te kenë polemizuar dijetaret përkitazi me ndalimin e ushtrimit te magjisë por edhe te mësimit te saj. Imam Neveviu ne koment te Sahihut te Muslimit ka thënë se: Ndalohet ta mësosh dhe tua mësosh te tjerëve magjinë.
***
Vëllezër besimtarë!

Derisa jemi tek magjia shfrytëzoj rastin tua përcjell të vërtetën e pamohuar se askush dhe asgjë pa caktimin e Allahut nuk mund të bëjnë as mirë dhe as keq. Allahu në kaptinën el Bekare, ajeti 102, kur foli për magjinë në kohën e Sulejmanit, alejhi’s selam tha:
….por pa lejën e All-llahut me atë (magjine) askujt nuk mund t’i bënin ….”.

Pra vëllezër ruajeni besimin tuaj të pastër në Allahun dhe përkujtoni se vetëm prej Tij vjen e mira si shpërblim dhe e keqja si sprovë e dënim. Mu për këtë, çka do që t’iu ndodhë kuptojeni prej këtij këndi dhe assesi mos ia lejoni vetes të gjunjëzoheni para mashtrimeve të magjistarëve e falltorëve. Mos harroni se shkuarja tek magjistari dhe falltari ndalohet rreptësishtë dhe ai që shkon e iu beson fjalëve të tyre del prej feje.

Përkujtoni se dënimi i atyre që përhapin të këqijat në mesin e muslimanëve është i madh. Thotë Allahu:
Ata, të cilët dëshirojnë që te besimtarët të përhapet imoraliteti, ata i pret dënimi i dhembshëm në këtë dhe në botën tjetër. All-llahu di (të fshehtat) e ju nuk i dini”. (en Nur, 19)

Dënimi i atyre që luftojnë (kundërshtojnë) All-llahun dhe të dërguarin e Tij dhe bëjnë shkatërrimë në tokë, nuk është tjetër vetëm se të mbyten ose të gozhdohen, ose (të gjymtohen), t’u priten duart dhe këmbët e tyre të anëve të kundërta, ose të dëbohen nga vendi. Kjo (masë ndëshkuese) është poshtëëërim për ta në Dunja, dhe në botën tjetër ata do të kenë dënim të madh”. (el Maide, 33)
O Zoti Ynë! Dërgoja salavatet më të ngrohta dhe më të sinqerta Muhammedit, të dashurit tonë!
O Zot! Fali muslimanët dhe muslimanet, besimtarët dhe besimtaret, të gjallët prej tyre dhe të vdekurit, dhe afroji zemrat e tyre. O Zot i të gjitha botërave!
O Zoti Ynë! Ti i di të fshehtat tona dhe pamjen e jashtme, na prano arsyetimet tona, dhe e di ç’kemi në mbrendinë tonë dhe na i fal gabimet tona, na i di nevojat tona na jep atë çka të kërkojmë.
O Zot i ynë, na jep shëndet trupit tonë, familjes tonë dhe trashëgimtarëve tanë.
O Zot bëne këtë vend të sigurt, të qetë dhe të bereqetshëm që të jetë nën hijen e librit Tënd dhe ndjekës i udhëzimeve të Pejgamberit Tënd .
O Zot, e kush ja do Islamit dhe muslimanëve të mirën merre me dorën tënde të të gjitha të mirat, e kush ia do Islamit dhe muslimanëve të keqen mere me forcën tënde, O Drejtues i qiejve dhe i tokës! O i Lartësuar dhe i Ndershëm!
O Zoti Ynë, na fal neve, prindërit tanë, vëllezërit tanë që janë prezent dhe prindërit e tyre, dijetarëve tonë, ata që na kanë borxh neve dhe gjithë besimtarëve ku do që janë. Amin, amin, amin …

 

Përgatiti: Sedat G. Islami